22.6 C
Tetovo
E hënë, 21 Prill, 2025
BallinaLajmeVLEN-i mbetet vetëm me dy parti, Qoku i pafuqishëm politikisht, Mexhiti favorit...

VLEN-i mbetet vetëm me dy parti, Qoku i pafuqishëm politikisht, Mexhiti favorit për kryetar!

“Vleni është krijesë artificiale dhe në të kanë mbetur vetëm dy parti”. Kështu thotë gazetari dhe analisti Urim Saliu duke folur për aktualitetin politik në vend, duke shtuar se sikur partitë shqiptare të ishin vetë të forta, kurrë nuk do bashkoheshin.

Si pjesë e koalicionit VLEN është edhe Alternativa, por për bashkëbiseduesin tonë duket se ky subjekt politik nuk paraqet ndonjë faktor relevantë në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.

“Ne sot kemi një realitet të tillë që pozicionet e partive tona janë dobësuar tejmasë. Te partitë tona ka gjithnjë përplasje. Ikja e Taravarit tregoi se në VLEN, vlon. Kush garanton se pavarësisht thirrjes për shkrirjen në një subjekt, nuk do dalin politikanë tjerë kundër ose edhe fraksione brenda Vlenit. VLEN është krijesa artificiale që një ditë do shuhet sepse politika shqiptare në thelb është përçarëse dhe jo e unifikuar”, thotë Saliu për PressOnline.al

Sipas tij, ka një mentalitet të krijuar mbi kultin e liderit aq sa këtë pozicion nuk e japin lehtë liderët shqiptarë.

“Ata ti japin të gjitha por jo edhe pozicionin e lartë partiak që shpesh ka çuar në përçarje të thella. Taravari iku dhe dërgoi një mesazh të qartë se dikush megjithatë është fajtor për tkurrjen e Vlenit. Faktikisht te Vlen kanë mbetur vetëm dy subjekte, pra Lëvizja BESA dhe Lëvizja Demokratike. Ne kemi madje edhe Bekim Qokun që ka mbështetjen e LVV, por nuk e ka fuqinë politike këtu”, nënvizoi ai.

Koalicioni VLEN pritet së shpejti të transformohet në një parti të re politike, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët. Këtë e konfirmoi ditë më parë edhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

“Që nga java e ardhshme fillon procedura për themelimin e një subjekti politik të VLEN-it, i cili do të ketë një shtab të përbashkët, një qendër informative, kandidatët e përbashkët, programin e përbashkët dhe listat e përbashkëta të këshilltarëve,” deklaroi Mexhiti për mediat.

Ai gjithashtu shtoi se nuk synon të jetë kryetar i subjektit të ri. Por siç mëson PressOnline.al nga prapa kuintave poltike, strukturat e Lsëvizjes BESA dhe Alternativës janë që Izet Mexhiti të jetë kryetari VLEN-it. Kjo nëse ndodh, sipas analistëve mund të tronditë këtë koalicion edhe me një largim të një nga partnerëve nga koalicioni.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments