VLEN reagon ashpër në një postim në Facebook, ndaj pranimit skandaloz të djeshëm nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që përbën një pranim të qartë të fajësisë për njërin nga aktet më të rënda dhe më jokushtetuese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: fshirjen e diasporës shqiptare nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2021, thuhet në reagimin e VLEN, të cilën MIA e transmeton në mënyrë intergrale.
Para opinionit publik dhe mediave, drejtuesit e BDI-së pranuan se kishin negociuar metodologjinë e regjistrimit, me të cilën qytetarët u ndanë artificialisht në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”. Si rezultat, dhjetëra mijëra shqiptarë u fshinë nga të dhënat zyrtare.
Ali Ahmeti e pranoi personalisht se kishte negociuar, ndërsa Bujar Osmani ishte pjesë e ekipit negociues. Ky është një dëshmi e qartë se kush mban përgjegjësi për këtë padrejtësi kombëtare.
BDI ka heshtur për vite të tëra, por tani është koha të japë përgjigje:
Pse e fshitë diasporën shqiptare nga regjistrimi?
Cili ishte marrëveshja politike e fshehtë që e bëtë dhe me kë?
Pse e përjashtuat diasporën nga vendimmarrja, megjithëse ajo ka kontribuar për dekada në këtë shtet?
Diaspora shqiptare nuk është një numër që mund të manipulohet apo të shërbejë për pazare politike. Ajo është pjesë e identitetit tonë kolektiv, kapacitetit institucional dhe potencialit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Fshirja e këtyre qytetarëve është jo vetëm një padrejtësi emocionale, por edhe një eliminim juridik i ekzistencës së tyre.
BDI duhet të përgjigjet:
A janë marrëveshjet e reja për koalicion dhe listat e përbashkëta për zgjedhjet lokale një përpjekje tjetër për të amnistuar këtë akt të turpshëm?
A po heshtin partnerët e rinj të BDI-së për të harruar këtë katastrofë kombëtare?
Le të kujtojmë: shumë prej atyre që u fshinë nga regjistrimi e kanë lënë vendin pikërisht për shkak të korrupsionit, varfërisë dhe nepotizmit të prodhuar nga BDI për më shumë se dy dekada.
Ne, VLEN, nuk do të heshtim.
Do të kërkojmë përgjegjësi – për politikanët, drejtorët dhe institucionet që e kanë nënshkruar këtë padrejtësi.
Drejtësia po vjen, thanë nga VLEN.