Në nënstacionin elektrik hekurudhor në Draçevë, i vendosur mes stacioneve hekurudhore Lisiçe dhe Draçevë, është kryer një vjedhje e përmasave të mëdha, e cila ka shkaktuar shkatërrimin e plotë të një pjese të konsiderueshme të pajisjeve elektroenergjetike të infrastrukturës hekurudhore, njoftojnë nga Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura (MZh Infrastruktura).
Sipas tyre, gjatë vjedhjes janë përmbysur me forcë dy transformatorë të mëdhenj elektrikë, secili me peshë mbi 30 tonë. Nga transformatorët është derdhur vaji transformatorik, ndërsa mbështjelljet prej bakri dhe komponentët e tjerë me vlerë janë hequr dhe vjedhur plotësisht.
Nga nënstacioni janë vjedhur gjithashtu tela bakri, shina dhe shufra bakri, si dhe pothuajse të gjitha pajisjet dhe elementet e domosdoshme për funksionimin e tij. Si pasojë e këtij akti të paligjshëm, objekti është bërë plotësisht jashtë funksionit.
Nga MZh Infrastruktura theksojnë se ky nuk është vetëm një rast i vjedhjes së bakrit dhe pajisjeve, por një sulm i rëndë ndaj infrastrukturës kritike hekurudhore, si dhe ndaj pasurisë së shtetit dhe qytetarëve. Dëmtimi i objekteve të këtij lloji mund të shkaktojë pasoja serioze për sigurinë, stabilitetin dhe funksionimin e rregullt të trafikut hekurudhor.
Sipas vlerësimit fillestar, dëmi i drejtpërdrejtë material arrin rreth 5 milionë euro.
Nga Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura u bëjnë thirrje institucioneve kompetente që rasti të hetohet urgjentisht dhe në mënyrë të plotë, ndërsa autorët dhe të gjithë personat e përfshirë në vjedhje, transportin dhe shitjen e mëtejshme të materialeve të vjedhura të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

