8.8 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeVisara Riza: E trefishuam numrin e shqiptarëve në Agjencinë e Barnave

Visara Riza: E trefishuam numrin e shqiptarëve në Agjencinë e Barnave

Intervistë me kandidaten për deputete nga zona 1 e koalicionit Alternativa – Aleanca për Shqiptarët, Visara Riza

Almakos: Kush është Visara Riza, kandidate në zonën 1 nga partia AlternAtivA, në listën zgjedhore të koalicionit ASH –AAA?

Visara Riza: Jam e lindur në Shkup, ku pata mundësinë të mbaroj edhe Fakultetin e Farmacisë. Por, ambiciet e mia akademike dhe menaxheriale nuk mbaruan këtu. Andaj vendosa që në sirtarin e të arriturave të mia ta kem edhe titullin “Master i administrimit të biznesit”, të dhënë nga “CotrugliBusinessSchool”. Më vonë vazhdova edhe me specializim në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në lëmin e rregullativës dhe legjislacionit farmaceutik. Karriera ime profesionale përkon kryesisht me eksperienca menaxheriale në kompani ndërkombëtare në lëmin e farmacisë.Në aspektin familjar, jam bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve.

Almakos: Znj. Visara Riza, ju gjatë pushtetit të kaluar si kuadër profesional nga Alternativa, keni qenë e emëruar drejtore e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (MALMED), cilat ishin sukseset e juaja gjatë udhëheqjes suaj me këtë drejtori?

Visara Riza: Drejtimi me një institucion publik që mirëmbahet nga paratë e popullit ishte një sfidë e madhe për mua. Them sfidë, sepse synimi im ishte realizimi i qëllimeve multidimensionale. Pra, e kam fjalën për avancimin e punonjësve shqiptarë, duke e rritur njëkohësisht kualitetin e shërbimeve ndaj atyre që na mirëmbajnë – taksapaguesve, si dhe reduktimin e harxhimeve të panevojshme.

Në këtë mënyrë, në afat disamujor, numri i shqiptarëve të punësuar në Agjenci u trefishua. Komunikimi me shfrytëzuesit e shërbimeve tona kishte rritur nivelin, por njëkohësisht edhe aplikimi i gjuhës shqipe në komunikimet publike u bë i domosdoshëm.

Ajo që më bën krenare si drejtuese e këtij institucioni është vlerësimi shumë i lartë i zyrës së Bashkimit Evropian për projektin ndërkombëtar evropian që ne e mbaruam me sukses.

Njëkohësisht, pas shumë vitesh tentativash, më në fund e kemi finalizuar edhe versionin e ligjit për barna dhe atë për pajisje mjekësorë, të përgatitur konform rekomandimeve evropiane. Të gjitha këto aktivitete dhe shërbime janë të certifikuara me standard ISO të punës. Në të vërtetë, këto janë projekte kruciale për çdo agjenci me standarde evropiane.

Almakos: Çfarë ju ofron koalicioni AAA-ASH shqiptarëve në vend dhe çfarë ofron koalicioni në zhvillimin dhe avancimin e femrës shqiptare në politikë?

Visara Riza: Maqedonia e Veriut ka arritur që legjislacionin e saj ta ndërtojë duke u bazuar në standardet e barazisë dhe diversitetit, si vlera për të respektuar dhe promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Megjithatë, përqindja e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje nuk mbetet për t’u lakmuar.

Femra shqiptare gjithnjë ka pasur dinjitetin e saj, mirëpo s’ka pasur kush ta ndihmojë dhe ta nxjerrë në pah, duke e avancuar atë në pozita kyçe në politikë. Këtë e mundëson koalicioni AAA-ASH, që në programin e tij politik ka ndërtuar bazament të qëndrueshëm për avancimin e saj në mënyrën më të mirë.

Almakos: Cili është roli i gruas në politikë? – A duhet që gratë të jenë pjesë aktive e politikës shqiptare në vend?

Visara Riza: Pavarësisht të drejtave të grave për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike ose dhe aftësitë e vullnetin e tyre për t’u dëshmuar si udhëheqëse të suksesshme, praktikat në shoqërinë tonë kanë tendencë t’i japin gruas më pak zë politik dhe fuqi të kufizuar vendimmarrëse. Këtë zë të zbehur të femrës shqiptare kemi vendosur ta përforcojmë pikërisht ne si Alternativë!

Almakos: Znj. Riza, çfarë ju shtyri të merreni me politikë?

Visara Riza: Programi i ASH-AAA është i ideuar që t’i përkrahë të gjithë, gra e burra, që janë të gatshëm për t’u sfiduar dhe për të luajtur një rol më të rëndësishëm në krijimin e mundësive të barabarta, por edh për fuqizimin e grave për të qenë udhëheqëse në jetën politike e vendimmarrëse.

ASH-AAA aspiron që partitë politike, institucionet publike e private, në mënyrë të vazhdueshme të zhvillojnë, zbatojnë dhe avancojnë në mënyrë efektive legjislacionin dhe politikat programore që rezultojnë me mënjanimin e diskriminimit dhe zvogëlimin e barrierave, që burojnë nga paragjykimet dhe stereotipat në baza gjinore.

Almakos: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 15 korrikut?

Visara Riza: Në të gjitha anketat e deritanishme populli i ndërgjegjshëm shqiptar në këtë fushatë parazgjedhore dëshmon se është në kërkim të një energjie të re menaxhuese, në kërkim të një fryme të re të sinqertë, që do kontribuojë për kauzën shqiptare në katër vitet e ardhshme. Ndërkaq ajo frymë është pikërisht ky koalicion. Ky është koalicion i shpresës së shqiptarëve.

Almakos: Në rast se do të zgjidheni deputete në Kuvendin e ardhshëm, cilat janë planet e juaja? A do të jeni zëri aktiv i gruas shqiptare në Kuvend?

Visara Riza: Femra shqiptare nga çdo pozitë të saj duhet të jetë zë kumbues për të mirën e shoqërisë. Roli im në Kuvend do të jetë më shumë proaktiv, duke kontribuar dhe ndihmuar për ata që kanë nevojë, si dhe duke nxitur  aktivizimin e grave të tjera në jetën publike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments