Viktima e tretë në Maqedoninë e Veriut nga koronavirusi

202

Një grua nga Dibra është viktima e tretë e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut. Ajo mbahej në aparate frymëmarrjeje artificiale për më shumë se dhjetë ditë dhe gjendja e saj, siç njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ishte e rënduar ditët e fundit. 66 vjeçarja ishte me hipertension.

Vetëm në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 29 raste të reja me COVID-19, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të të prekurve në 177.

Ndërkohë, pesë mjekë janë infektuar në Klinikën e dermatologjisë përmes kontaktit që kanë pasur me drejtoren e klinikës, e cila kishte qenë më parë në Itali por nuk kishte raportuar për këtë, duke injoruar rekomandimet e autoriteteve.