Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp njoftoi se dy liderët e partive më të mëdha në vend, Zoran Zaev dhe VMRO DPMNE-së Hristian Mickoski, janë në izolim për shkak se kanë pasur kontakt me një gazetar, i cili tashmë ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se gjendja e gazetarit të infektuar me koronavrus është stabile dhe i njejti është i shtrirë në spitalin “8 Shtatori” në Shkup.
“Zoran Zaev dhe Hristian Mickoski nga sot janë në izolim të detyrueshëm në shtëpitë e tyre pas informacioneve që mori Ministria e Shëndetësisë se një gazetar ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe i njëjti gjatë javës së kaluar ka pasur intervista televizive edhe me Zoran Zaevin dhe Hristian Mickoskin”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Ai ka bërë me dije se Mickoski ka rezultuar negativ ndërsa rezultatet për Zaevin pritet të vijnë gjatë ditës, por që të dy do të ndodhen në vetizolim të detyrueshëm shtëpiak gjatë 14 ditëve.
Menjëherë pas kësaj, në profilin e tij në Facebook, lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka shkruar se për momentin ndihet mirë dhe se është në pritje të rezultateve të testit nga koronovarisi.
“Dëshiroj t’ju informoj se gjatë javës së kaluar kam pasur një intervistë në TV me një gazetar, i cili kohët e fundit ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Megjithëse gjatë intervistës kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse siç është shmangia e kontaktit dhe ruajtja e distancës, sipas të gjitha protokolleve, që nga sot unë jam në izolim në shtëpinë time në Strumicë. Nuk kam simptoma, sot jam testuar për praninë e virusit dhe presim rezultatet gjatë ditës – pas së cilës do të përcaktohen hapat e ardhshëm”, ka shkruar Zaev.
Edhe lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, ka theksuar se është në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore dhe fizike.
“Gjatë ditës së djeshme, pasi mora informacionin për shëndetin e gazetarit me të cilin pata një intervistë saktësisht një javë më parë në lidhje me pandeminë, jam testuar dhe kam rezultuar negativ. Sidoqoftë, unë do të respektoj rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë dhe në periudhën në vijim për disa ditë do të qëndrojë në izolim. Shpresoj që gazetari të rikuperohet shpejt dhe të kthehet në vendin e punës”.
“Le t’i mbështesim ata që janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata që kanë shfaqur interes për shëndetin tim. Ne do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrë aktive pandeminë që ka sjellë një krizë të rëndë shëndetësore, sanitare dhe ekonomike. Jam i sigurt se në fund do të fitojmë së bashku sepse çdo jetë ka vlerë dhe sepse e duam Maqedoninë. Të mbeteni shëndosh e mirë“, -ka theksua Mickoski.
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 49 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Top Channel