Bashkimi Evropian përgatit plan ekonomik për zhvillim të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të prezantohet në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që duhet të mbahet në Zagreb në maj, bëri të ditur komisari evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Oliver Varheji.
Plani ekonomik është njëri ndër tre hapat që i ndërmerr Komisioni Evropian në suaza të reformës së procesit negociues, ndërsa të cilët duhet të ndihmojnë për transformim efikas të shoqërive në vendet e rajonit dhe të sigurojnë rezultate konkrete.
Dy hapat e tjerë, krahas planit ekonomik, kanë të bëjnë në ndryshimin e metodologjisë për zgjerim të BE-së dhe hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Varheji, në përgjigjen me shkrim në pyetjen e eurodeputetes sllovene Irena Joveva për perspektivat evropiane të rajonit, thotë se KE-ja miratoi strategji të re për zgjerim që i përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të jepet impuls i ri në këtë proces, duke e bërë, kredibil, dinamik dhe të parashikueshëm, dhe duke i dhënë shtytje të fuqishme politike. Kjo, thotë Varheji, ka sjellë në vendim pozitiv për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE mbetet prioritet i KE-së. Punojmë në atë t’i aprovojmë mjetet e disponueshme për mbështetje në këtë proces. Përfundimisht, progresi i rrugës evropiane varet nga aftësia e secilit vend kandidat t’i zbatojë reformat dhe të tregojë rezultate me të cilat do të dëshmojë se janë përmbushur kushtet të cilat janë vendosur”, theksoi komisari evropian Oliver Varheji.