Provokimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, përmes një fotografie që tregonte hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, kryeministri Edi Rama e cilësoi një lojë kukullash në Facebook.Përgjigjen e ktheu nga Kukësi, aty ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit për 250 mjekët dhe infermierët e parë nga Kosova.
“Qëlloi të nesërmen e asaj hartës së leshit, por është më mirë kështu. Ai shoku në Beograd le të publikojë harta dhe të lozë në Facebook, ne jemi një dhe kështu do vazhdojmë deri në fund”.
Ju premtoi se të gjitha bluzat e bardha do ta marrin vaksinën anti-Covid në Shqipëri, nëse Kosova nuk arrin të sigurojë dozat e nevojshme.
“Presim një sasi të konsiderueshme së shpejti dhe mjekët e Kosovës nuk do i lemë vetëm me shpresë që InshAllah në Kosovë do të venë vaksinat. Të 11 mijë bluzat e bardha të Kosovës do i bëjmë nëse Kosova nuk merr vaksinat”.
Duke kujtuar kontratat e kompanive që nuk e lejojnë nxjerrjen e dozave të vaksinës jashtë vendit, Rama sheh si zgjidhje të përbashkët Kukësin.
“Ne nuk do t’u lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit jemi një. Edhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Kukësi është dhe i Shqipërisë dhe i Kosovës.”
Brenda fundjavës do të kryhet procesi i vaksinimit për 500 mjekë dhe infermierë nga Kosova.
Tv Klan