Shtyrja e afatit për hapjen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si rezultat i mos përfundimit të procesit të akreditimit, mund të ndikojë që viti i ri akademik të mos nis përnjëherë për të gjithë studentët.
Rektori i këtij universiteti, Naser Sahiti, thotë se mësimi për të gjithë studentët në tetor mund të nisë vetëm nëse konkursi hapet në fund të këtij muaji, në të kundërtën thotë se afati i dytë për pranimin e studentëve do të zhvillohet tek në muajin tetor.
Ai shprehet se hapja e konkursit varet nga vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të UP-së, e që thotë se në skenarin më të mirë një gjë e tillë mund të bëhet deri në fund të këtij muaji.
“Sipas analizës rezulton që nëse konkursi nuk arrin që të shpallet më herët sesa në fund të gushtit atëherë ne nuk kemi mundësi që të dy afatet t’i realizojmë brenda shtatorit, por njërin prej afateve po. Ne teorikisht do të mund të fillonim me i tetor vitin akademik, por jo me të gjithë studentët, për arsye se afati i dytë do të duhej të vazhdojë edhe në tetor. Nëse shpallet në fund të korrikut atëherë natyrisht na mundësohet që të dy afatet t’i realizojmë gjatë shtatorit dhe të shkojmë me vit akademik me të gjithë studentët përnjëherë», thotë ai.
Ai i bënë ftesë Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të punojnë me një dinamikë të shtuar, në mënyrë që procesi i akreditimit të përfundojë në kohë e që UP të mund të hap dyert për studentët e rinj.
Duke qenë se ende nuk dihet nëse do të akreditohen të gjitha programet e UP-së, Sahiti thotë se nuk kanë mundur të specifikojnë ende numrin e saktë të studentëve që do të pranojnë për vitin akademik 2021/2022.
Por, nëse do të bëhet akreditimi i të gjitha programeve, ai thekson se numri i studentëve që do të pranojnë do të jetë 6 mijë e 700 studentë.