13.5 C
Tetovo
E shtunë, 27 Prill, 2024
BallinaLajmeUNICEF: Letër e hapur për të gjitha partitë politike

UNICEF: Letër e hapur për të gjitha partitë politike

Në prag të zgjedhjeve të gjitha partitë politike kanë mundësinë t’i vendosin fëmijët, të rinjtë dhe familjet në qendër të programeve elektorale, duke bërë premtime konkrete që çdo fëmijë të ketë qasje në shërbime cilësore dhe më shumë mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin.

Fëmijët përbëjnë njëzet për qind të popullsisë rezidente prej 1.84 milionë, prej të cilëve përafërsisht 180,000 janë vajza dhe 192,000 janë djem nën moshën 18 vjeçare. Ata janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, pavarësisht se aktualisht nuk votojnë. Në një të ardhme jo aq të largët, ata do të jenë udhëheqës të familjeve, komuniteteve dhe vendit të tyre. Ato jo vetëm që do të formojnë të ardhmen e vendit, por do të formojnë edhe qëndrime të rëndësishme politike bazuar në këto zgjedhje.

Që nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, pak më shumë se 30 vjet më parë, dhe miratimit të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm në 2015, vendi ka bërë përparim të rëndësishëm në avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve, si të vajzave po ashtu edhe të djemve. Progresi drejt realizimit të këtyre të drejtave për secilin fëmijë kërkon përpjekje të vazhdueshme, që askush të mos ngelë pas.

Në shtator të vitit 2022, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve i miratoi Shënimet përmbyllëse mbi ecurinë e vendit në realizimin e të drejtave të fëmijëve, duke i theksuar rekomandimet të cilat kërkojnë vëmendje urgjente, edhe atë në pesë fusha: koordinimi, mosdiskriminimi, dhuna ndaj fëmijëve, fëmijët me aftësi të kufizuara, shëndetësia dhe shërbimet shëndetësore. Një numër i këtyre çështjeve, duke përfshirë përpjekjet për ta siguruar arsimim për çdo fëmijë janë theksuar në raportin e progresit të vendit drejt aderimit për në BE. Këto rekomandime mund të përdoren për t’i inspiruar prioritetet qenësore të politikave në kuadër të programeve tuaja zgjedhore.

Të gjitha partitë luajnë rol në ndërtimin e vendit, në të cilin të gjithë fëmijët dhe të rinjtë mund ta përmbushin potencialin e tyre. Shumë reforma kritike kanë kërkuar dhe do të vazhdojnë të kërkojnë angazhim shumëvjeçar nga të gjithë vendimmarrësit si Garancia Evropiane për Fëmijët, reforma në arsim; reforma në sistemin e kujdesit ndaj fëmijëve, drejtësia dhe reformat të tjera legjislative; reforma për përmirësimin e qasjes në programet e kujdesit shëndetësor preventiv për fëmijët, dhe reformat tjera për mbështetjen e familjeve, duke përfshirë familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Zgjedhjet e ardhshme janë mundësi për të bërë politika të fokusuara te familja, te të rinjtë dhe te fëmijët për të pasur një vend më të mirë. Zgjedhjet hapin horizonte për të ardhmen. Ajo e ardhme po ndërtohet tani, madje fëmijët dhe të rinjtë po llogarisin në këto zgjedhje. Si një organizatë jopolitike dhe e paanshme, UNICEF-i është i gatshëm të punojë me të gjithë partnerët për të avancuar të drejtat e fëmijëve dhe për të siguruar një shans të barabartë për një të ardhme të ndritshme për çdo fëmijë dhe çdo të ri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments