Gjatë Qeverisë teknike, kur Agim Nuhiu ishte Ministër për Punë të Brendshme, firmosi aktet normative që emblemat e uniformave të policisë të jenë në dy gjuhë, por procesin përpara duhej ta çonte Qeveria.
“Këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblemat e policisë. Kjo është një bazë normative që u hapë rrugë edhe aktiviteteve të tjera të ndërlidhura me sigurimin e emblemave edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Agim Nuhiu – ish-ministër i Punëve të Brendshme (10.08.2020).
Këtë veprim Nuhiu e pat ndërmarrë pas mendimit të dhënë nga Komisioni i Venecias. Madje kishte përgatitur edhe shembull se si do të dukej emblema, por e njëjta tani për tani ka mbetur vetëm në kornizë fotografish.
Qeveria me sa duket aktet normative ende është duke i mbajtur në sirtar, e këtë e konfirmon edhe vetë deklarata e sotme e Ministrit aktual për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski.