Tifo-grupi i Shkëndijës “Ballistët” ka dalë me reagim pasi janë detyruar nga autoritetet shtetërore që t’i largojnë skelet që i kishin montuar jashtë stadiumit, si zgjidhje për ta përkrahur KF Shkëndijën, pas dënimit që mori nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
“Ballistët” thonë se janë detyruar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Inspektorati Komunal i Tetovës që t’i largojnë skeljet që i vendosën jashtë stadiumit. Ata madje udhëheqësinë e komunës e kërcënojnë me protesta.
“Pasi montuam skele jashta stadiumit për të mbështetur Shkëndijën, ministria e punëve të brendshme dhe inspektoriati komunal na detyroi ti largojmë në të kundërtën do të arrestoheshim, dhe për ndërrmarjen që i montoi skelet do të pasonte dënim i madh. Inspektoriati komunal si duket nuk ka punë tjera më të rëndësishme por merret me Ballistët, urdhëri paska ardhur në instanca edhe më të larta”.“Komunës së Tetovës dhe kryetarit të saj i bëjmë APEL !!! Pasi ishim dëshmitarë në zotimin tuaj se do ta ndërtoni stadiumin, stadiumi nuk ndërtohet me 3 puntorë dhe dy kamionë, protestat kundër jush janë opsion i mirë nga i gjithë qyteti, dhe protestat tona dihen se nuk janë të qeta !!!”, thonë “Ballistët” në reagim.Ndryshe, KF Shkëndija u dënua me pesë ndeshje pa publik dhe 6 mijë euro gjobë, për shkak të sjelljes së pahijshme të disa tifozëve të klubit dhe shkeljes së minutës së heshtjes gjatë ndeshjes Shkëndija – AP Brera, e zhvilluar në kuadër të javës së 25-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut.
Kjo masë vjen në një kohë kur Shkëndija është në garë për titull dhe një periudhë e tillë pa tifozë do të ndikojë në atmosferën dhe motivimin e skuadrës për sfidat e ardhshme.