Politikat ekonomike “jo-ortodokse” të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, kanë shkaktuar një situatë serioze në vendin e tij. Turqia po vuan aktualisht nga një krizë e bilancit të pagesave, një varfëri në rritje, nga një papunësi dhe inflacion i lartë.
Deri më tani lira turke ka humbur rreth 70 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit që nga fillimi i këtij viti, dhe rreth 33 për qind e saj vetëm gjatë muajit nëntor. Një zhvlerësim në këtë shkallë, përbën një rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për fqinjët e saj.
është në interesin më të mirë të Bashkimit Evropian që të stabilizojë këtë vend, dhe ta ri-ankorojë atë në aleancën perëndimore. Lajmi i mirë është se Brukseli e ka një mjet, të cilin mund ta përdorë për ta arritur këtë synim: euron.
Unioni duhet t’i ofrojë Turqisë mundësinë për të adoptuar pjesërisht euron, pa u bërë një vend anëtar i BE-së, në këmbim të politikave që do të rindërtonin institucionet demokratike të Turqisë, tëcilat aktualisht janë dëmtuar shumë rëndë. Po pse do ta bënte këtë BE-ja?
Sepse, ndonëse Turqia zhytet jo rrallë në kriza politike dhe ekonomike, këtë herë kjo krizë ka të ngjarë të ndikojë edhe tek vetë unioni. Turqia mban aktualisht më shumë emigrantë dhe refugjatë se çdo vend tjetër i botës – 3.6 milionë njerëz – dhe një krizë e thellë ekonomike në Turqi, do të krijojë pothuajse me siguri një valë të re emigrantësh drejt BE-së.
Për më tepër, një marrëveshje e tillë do të sillte edhe avantazhe të rëndësishme për bllokun. Kjo do t’i jepte euros më shumë peshë ndërkombëtare, një objektiv ky strategjik i përmendur shpeshherë, sidomos nëse marrëveshja do të përsëritej më vonë për të stabilizuar aleatët e tjerë rajonalë si Libani, apo ndoshta edhe Ukraina.
Turqia ka një ekonomi të madhe, e cila është e barabartë me afro 5 për qind të PBB-së së eurozonës. Eliminimi i rrezikut të monedhës, do të nxiste flukset dypalëshe të tregtisë dhe investimeve, si dhe do t’i ndihmonte kompanitë evropiane të zgjerojnë praninë e tyre në Turqi, duke punësuar fuqinë punëtore relativisht të lirë, në moshë te re dhe produktive, ndërsa zinxhirët e furnizimit do të zhvendoseshin larg Kinës.
Më e rëndësishmja:lejimi që Turqia të adoptojë euron si monedhën e saj zyrtare, nuk dotë kalonte asnjë nga “vijat e kuqe politike” të Bashkimit Evropian. Ky hap nuk do të nënkuptonte asnjë liri lëvizjeje për turqit në Evropë, asnjë pjesëmarrje të Turqisë në Parlamentin Evropian, apo ndonjë institucion evropian, dhe sigurisht asnjë anëtarësim të plotë në BE.
Po ashtu, marrëveshja në fjalë nuk do të kërkonte ndryshime të traktateve të BE-së, dhe do t’i përshtatej mirë idesë së bllokut për “marrëdhënie të privilegjuara” strategjike. Gjithashtu, ai do të minimizonte rrezikun që Turqia të bëhet një shtet gjithnjë e më islamik dhe i paqëndrueshëm në periferinë e Evropës.
Po çfarë do të thotë të adoptosh pjesërisht euron? Precedenti ligjor për këtë – që quhet ndryshe “marrëveshje monetare” – ekziston tashmë midis BE-së dhe Andorrës dhe San Marinos, dy shtete të vogla që nuk janë pjesë e BE-së, por që ashtu si Turqia, janë pjesë e bashkimit të saj doganor.
Me një marrëveshje monetare, Turqia do të fitonte të drejtën e përdorimit të euros si monedhën zyrtare, dhe do të kishte të drejtën të emetonte monedha euro. Edhe pse kartëmonedhat do të lëshoheshin vetëm nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas këtij skenari, BE-ja nuk do të mbulonte borxhin e Turqisë, dhe Ankaraja nuk do të zinte një vend në Këshillin Drejtues të BQE-së, derisa të përmbushte të 5 kriteret e Traktatit të Mastrihtit në lidhje me inflacionin, deficitin buxhetor, raportin e borxhit të qeverisë ndaj PBB-së, kursin e këmbimit, dhe stabilitetin afatgjatë të normave bazë të interesit.