15.5 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaEkonomiDW / Megjithë kolapsin e monedhës, Erdogani nuk e ndryshon kursin

DW / Megjithë kolapsin e monedhës, Erdogani nuk e ndryshon kursin

Për shkak të krizës ekonomike Turqia është duke ngrirë nga të ftohtët. Kostot e lëndëve të para dhe të energjisë janë rritur në maksimum dhe shumë turq i ngrohin shtëpitë me qymyr ose dru, sepse gazi është kthyer në luks të kushtueshëm. Arsyeja për rritjen e çmimeve në tregun e energjisë ka të bëjë me krizën e monedhës turke, e cila ka tre vjet që po vazhdon.

Inflacioni i lartë prej 29 përqindsh e ka vënë nën presion të madh lirën turke. Prej vitesh monedha turke ndodhet në rënie, por tani është duke rënë praktikisht përditë. Këtë javë Banka Qendrore turke e humbi durimin dhe ndërhyri në tregun e valutave, për herë të parë që prej shtatë vitesh. Ky hap bllokoi të paktën paraprakisht rënien e mëtejshme të lirës, por sa afatgjatë do të jetë rezultati pritet të shihet.

Banka Qendrore ka shkaktuar rrënimin e lirës

Kjo do të ishte e rëndësishme për presidentin Recep Erdogan, sepse tek popullsia turke po rritet indinjata për politikën e tij të inflacionit turbo dhe për mosvendosjen nën kontroll të lëkundjes së çmimeve. Ndërhyrjet shpëtuese të qeverisë turke, si me politikën ekonomike ashtu edhe me politikën monetare kanë shkuar kot. Pavarësisht nga kjo, Banka Qendrore turke vendosi në mënyrë të pazakontë me urdhër të Erdoganit që të ulë përqindjen e interesit nga 16 në 15 përqind. Në muajin tetor, Banka, që duhet të mbrojë monedhën pati ulur me dy pikë përqindjet e interesit.

Erdogani përsëriti së fundi në televizonin shtetëror TRT: Turqia ul përqindjet kryesore të interesit në mënyrë që të nxisë investimet, punësimin, prodhimin dhe zhvillimin. Ai përsëriti kështu bindjen e tij, se përqindjet e larta shkaktojnë rritjen e çmimeve. Ai nuk distancohet nga ky model ekonomik.
“Kartëmonedhat e dollarit poshtë jastëkut”
Ekonomisti Soner Kuru kujton se si tregu edhe njerëzit e kanë marrë vesh tani se ulja e përqindjeve do të vazhdojë për një afat të gjatë. „Tani njerëzit mundohen të bëjnë gjithçka për të shpëtuar paratë e tyre nga inflacioni. Por edhe sikur kursimtarët të blenin vetëm flori, indirekt kjo do të çonte në rritjen e kursit të këmbimit,” sepse edhe metalet e çmuara varen nga dollari, shpjegon ai.
Që prej vitit 2013 njerëzit në Turqi janë duke u konfrontuar me rritjen e vazhdueshme të çmimit të dollarit, thotë Kuru. Gjithnjë e më shumë njerëz do të mundohen tani që të sigurojnë pasurinë e tyre me ndihmën e valutave. „Në të ardhmen njerëzit do të flenë duke pasur më shumë kartëmonedha dollari nën jastëk,” thotë Kuru. “Ne ndodhemi në një kohë kur edhe njerëzit që nuk kanë bërë ndonjëherë biznese me dollarin, shohin tani tek kjo monedhë një xhep të sigurt.”
Rritje ekonomike me çdo kusht
Përveç kësaj Erdogani theksoi dje se pret që këtë vit në Turqi të ketë rritje të madhe ekonomike. Të paktën dhjetë përqind e prodhimit të brendshëm bruto në vend, tha ai. Treguesit kryesorë për koniunkturën turke janë shumë të fortë dhe vendi pret aktualisht investime afatgjata nga vendet e tjera.

Ndërkohë që zhvleftësimi i monedhës brenda vendit ka shkaktuar probleme, eksportuesit dhe investitorët e huaj kanë përfituar nga lira e dobët. E varur pjesërisht prej saj, rritja ekonomike e ekonomisë turke, mund të shihet: Sipas të dhënave të Institutit turk të statistikave (TÜiK), ekonomia turke është rritur në tremujorin e dytë të 2021 me 21,7 përqind, nivelin më të lartë të rritjes ekonomike që nga viti 1999. Një zhvillim që nuk shihet në xhepat e popullsisë turke. Çmimet e ushqimeve janë rritur shumë muajt e fundit dhe kanë rritur zemërimin nëpër pazaret turke.

Marrë nga DW

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments