Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë zgjatur sërish gjendjen kombëtare të jashtëzakonshme lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke dërguar një sinjal të qartë se Uashingtoni vazhdon t’i ndjekë me kujdes zhvillimet në rajon dhe t’i mbajë në fuqi mekanizmat për sanksionimin e individëve dhe organizatave që konsiderohen kërcënim për stabilitetin.Vendimi është nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa vazhdimi i kësaj mase hyn në fuqi më 26 qershor dhe do të mbetet në fuqi edhe për një vit tjetër. Bëhet fjalë për një masë që u vendos fillimisht në vitin 2001 dhe që prej atëherë është rinovuar rregullisht nga administratat amerikane, pavarësisht se cila forcë politike ka qenë në pushtet në Uashington.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ende ekzistojnë aktivitete dhe procese që, sipas vlerësimit amerikan, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Theks i veçantë vihet te veprimet që kontribuojnë në paqëndrueshmëri politike, dobësimin e institucioneve demokratike dhe pengimin e proceseve integruese në rajon.Kur masa u vendos para 25 vitesh, arsyet kryesore lidheshin me sfidat e sigurisë pas konflikteve në Ballkan, kërcënimet nga dhuna ekstremiste dhe mundësinë e cenimit të marrëveshjeve të paqes të arritura pas luftërave në ish-Jugosllavi.
Megjithatë, me kalimin e kohës, fusha e veprimit të saj është zgjeruar ndjeshëm. Sot, autoritetet amerikane nuk e përdorin vetëm për t’u përballur me kërcënime të mundshme të sigurisë, por edhe si instrument kundër korrupsionit, keqpërdorimit të funksioneve publike, minimit të proceseve demokratike dhe veprimeve që mund të rrezikojnë stabilitetin politik në rajon.Një ndryshim veçanërisht i rëndësishëm u bë në vitin 2021, kur administrata e Joe Biden e zgjeroi kornizën përmes një urdhri të ri ekzekutiv. Kështu, sanksionet amerikane morën një shtrirje më të gjerë dhe filluan të zbatohen edhe ndaj personave që përmes aktiviteteve korruptive, ndikimit mbi institucionet ose pengimit të proceseve demokratike kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve, në vitet e fundit në listat amerikane të sanksioneve janë përfshirë një numër politikanësh, zyrtarësh dhe biznesmenësh nga vende të ndryshme të rajonit, përfshirë edhe nga Maqedonia e Veriut.
Në arsyetimin më të fundit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë theksohet se vazhdojnë të ekzistojnë aktivitete që pengojnë konsolidimin demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e tyre të plotë në strukturat euroatlantike. Administrata amerikane vlerëson se procese të tilla vazhdojnë të përbëjnë “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për interesat e SHBA-së.
Për më tepër, dokumenti i referohet edhe Urdhrit Ekzekutiv 14140 të janarit 2025, ku në detaje renditen arsyet pse masa mbetet në fuqi. Ndër to përfshihen përpjekjet për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të rajonit, minimi i marrëveshjeve të paqes dhe i rendit institucional, korrupsioni i rëndë që dëmton sundimin e ligjit, si dhe aktivitetet që synojnë shmangien ose anashkalimin e sanksioneve amerikane.
Vazhdimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme nuk nënkupton vendosjen automatike të sanksioneve të reja, por i mundëson Uashingtonit të vazhdojë të ketë në dispozicion mekanizma ligjorë për reagim të shpejtë nëse vlerëson se individë, grupe ose organizata të caktuara paraqesin kërcënim për stabilitetin, demokracinë dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
