6.2 C
Tetovo
E diel, 7 Dhjetor, 2025
BallinaLajmeTollovia me veturat zyrtare në RMV: Qeveria nuk e di sa kilometra...

Tollovia me veturat zyrtare në RMV: Qeveria nuk e di sa kilometra kanë bërë, ndërsa për institucionet tjera nuk merr përgjegjësi

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka të dhëna të detajuara se sa kilometra kanë lëvizur veturat zyrtare, ndërsa ka nisur procedurën për shitjen e 104 automjeteve të vjetra. Presin regjistrin e Ministrisë së Brendshme për të pasur një pasqyrë më të qartë. Në ndërkohë analiza e Portalb.mk për flotën e veturave zyrtare në vend zbuloi disa mospërputhje, mungesë të transparencës dhe shumë dilema.

Sipas bazës së të dhënave nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ku figurojnë 6659 automjete zyrtare, mbi 15% apo 1009 automjete nuk janë në gjendje të lëvizshme ndërsa 179 automjete janë në gjendje të panjohur.

Shumë dilema, pak përgjigje

Portalb.mk iu drejtua Qeverisë së RMV-së me një sërë pyetjesh dhe dilemash që dolën nga kjo analizë, si: a ka në plan Qeveria t’i zëvendësojë automjetet e vjetra me të reja, sa automjete do të tërhiqen nga shërbimi, sa do të jenë më ‘miqësore me mjedisin’, sa të shpeshta dhe efikase janë riparimet e automjeteve të vjetra, sa efikase janë automjetet e vjetra për sa i përket konsumit të karburantit, si bëhen analizat para blerjes së veturave pasi marka ‘Peugeot’ dominon në flotë, a ka qeveria të dhëna se sa kilometra kalojnë mesatarisht automjetet zyrtare në vit, sa janë në lëvizje dhe sa jashtë përdorimit, sa shpenzohet çdo vit për karburant, mirëmbajtje, goma dhe sigurim dhe se kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen e panjohur të automjeteve.

Nga Qeveria e RMV-së duke mos dhënë shumë detaje informuan se Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP) mund të japë vetëm informacion të saktë në lidhje me automjetet që ka në dispozicion.

“Brenda flotës sonë, automjetet VIP janë blerë përmes lizingut operativ dhe zëvendësimi i tyre është planifikuar për fundin e vitit 2027. Bëhet fjalë për 45 automjetet Shkoda. Në të ardhmen, po shqyrtohen mundësitë për blerjen e automjeteve më miqësore me mjedisin dhe me efikasitet energjetik”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Për automjetet që nuk janë nën lizing, Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë ka filluar tashmë procedurë për asgjësimin e tyre.

“Është nisur procedurë për shitjen e 104 automjeteve të vjetra si hekur i vjetër, ndërsa disa nga automjetet që janë në gjendje të mirë teknike mbeten në përdorim për nevojat e delegacioneve, shërbimeve të korrierit dhe operacioneve të magazinimit”, thanë nga Qeveria.

Nga ekzekutivi shtuan se për shkak të vjetërsisë së tyre, këto automjete shpesh kërkojnë riparime, prandaj kemi filluar të optimizojmë flotën dhe automjetet përdoren vetëm në situata të nevojshme dhe zyrtare.

Lidhur me të dhënat e hollësishme mbi llojin e kilometrave të përshkuara, Qeveria nuk ka informacion të saktë.

“Ministria e Brendshme po punon për krijimin e një regjistri qendror të automjeteve, i cili duhet të përfundojë deri në fund të vitit kalendarik aktual”, thanë nga Qeveria.

Ata shtojnë se lloji i automjeteve për prokurimin e ardhshëm varet nga secili institucion individual, i cili kryen në mënyrë të pavarur procedurat e prokurimit publik.

“Të dhëna më të hollësishme, përfshirë numrin e automjeteve që janë jashtë përdorimit, do të jenë të disponueshme sapo të përfundojë regjistri i ri. Ne presim që kjo të ndodhë së shpejti dhe mbetemi në dispozicionin tuaj për informacione të mëtejshme”, thanë nga Qeveria.

Çfarë tregojnë të dhënat?

Sipas analizës që Portalb.mk bëri për flotën e automjeteve zyrtare në bazë të të dhënave nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nga 6659 automjete zyrtare, mbi 15% apo 1009 automjete nuk janë në gjendje të lëvizshme ndërsa 179 automjete janë në gjendje të panjohur.

Tre automjetet më të vjetra kanë plot 58 vite dhe i përkasin vitit 1967, sipas të dhënave ende janë në gjendje të vozitshme, dy Mercedesa dhe një FAP.

21 automjete janë të vitit 2025 me modele të ndryshme si Shkoda, Ford, Opel dhe të tjera.

Marka më e përdorur e automjeteve nga institucionet shtetërore mbetet ‘Peugeot’, me 532 automjete.

Sipas të dhënave nga regjistri të viteve të prodhimit të automjeteve zyrtare, viti mesatar i prodhimit del të jetë 2009.

Institucioni me numrin më të madh të automjeteve është Ministria e Punëve të Brendshme, me 693 automjete.

Megjithatë, numri i automjeteve zyrtare është më i lartë, pasi jo të gjitha janë institucionet apo automjetet të përfshira në këtë regjistër.

Nga ana tjetër, ka edhe automjete me status të informatave të klasifikuara, prandaj për ata nuk ka të dhëna.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Institucione jotransparente

Shumë institucione nuk i dorëzuan të dhënat për automjetet zyrtare në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit para zgjedhjeve lokale ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor.

Obligim për të dorëzuar të dhëna kishin gjithsej 1.514 institucione, por vetëm 635 institucione dorëzuan të dhëna, gjegjësisht 42%, ndërsa 879 institucione, gjegjësisht 58%, nuk dorëzuan fare të dhëna.

Nga KSHPK-ja konfirmuan për Portalb.mk se situata mbetet e njëjtë.

Megjithatë ende nuk ka një numër të saktë të numrit total të automjeteve zyrtare, për shkak se me të dhëna të tilla disponon edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe të njëjtat nuk janë të harmonizuara me KSHPK-në.

Siç mësojmë, Ministria e Brendshme po punon në një regjistër të ri në këtë drejtim, megjithatë ende nuk ka datë konkrete se kur do të jetë gati i njëjti.

Nesër (8 dhjetor) do të publikohet pjesa e tretë e storjes për automjetet zyrtare me fokus në Ministrinë e Punëve të Brendshme si institucioni me numrin më të madh të automjeteve zyrtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments