4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeTetova ende pa Plan gjeneral urbanistik

Tetova ende pa Plan gjeneral urbanistik

Një nga arsyet që kemi angazhuar shumë profesionist, arkitekt e kështu me radhë me kontratë është që të përshpejtohet procedura për përfundimin e Planit të ri gjeneral urbanistik dhe në 10 vitet e ardhshme të mos kemi probleme me planet detale urbanistike”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës, Besar Durmishi

Urim HASIPI

Tetovë, 16 shtator – Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë me Planin Gjeneral Urbanistik të sjellur në vitin 2003. Në vitin 2019, kishte filluar procedura për sjelljen e një Plani të ri Gjeneral Urbanistik, por e tërë procedura ngeli. Edhe ajo procedurë kishte filluar dukshëm me vonesë, ngase Plani Gjeneral Urbanistik duhet të sillet çdo 20 vjet, ndërsa Komuna e Tetovës kishte në atë kohë vonesë prej gjashtë vitesh, ndërsa vitin e ardhshëm bëhen 10 vite vonesë. Administrata aktuale e Komunës së Tetovës, premton se maksimum brenda dy vitesh do të sillet Plani i ri Gjeneral Urbanistik.

“Komuna e Tetovës, për habinë e të gjithëve, që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik. Pengesat që paraqiten janë se planet detale urbanistike nuk mundet të realizohen për arsye se janë të ndërlidhura me Planin Gjeneral. Sektori i Urbanizmit është duke punuar në Planin Gjeneral, por gjithçka që kalon nëpër Sektorin e Urbanizmit, duhet të kalon edhe nëpër institucionet shtetërore. Besoj se brenda një vit e gjysmë apo dy vite, ta miratojmë Planin e ri Gjeneral, merr shumë kohë, duhet shumë angazhim derisa ta kemi atë plan. Një nga arsyet që kemi angazhuar shumë profesionist, arkitekt e kështu me radhë me kontratë është që të përshpejtohet procedura për përfundimin e Planit të ri gjeneral urbanistik dhe në 10 vitet e ardhshme të mos kemi probleme me planet detale urbanistike”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.

Që nga viti 2003 dukshëm ka ndryshuar struktura e qytetit sidomos në aspektin e rritjes së numrit të banorëve, por edhe aspektin e ndërtimeve të mëdha të cilët dukshëm kanë ngulfatur qytetin e Tetovës. Megjithatë, problem në vete është se pikërisht mos sjellja e planeve detale urbanistike ka bërë të ulet edhe vjelja e tatimeve për vet Komunën e Tetovës.

“Arsyeja se pse është ngulfatur qyteti, arsyeja se pse nuk është zhvilluar qyteti dhe ngecja e tatimeve që duhet të hyjnë në buxhetin e Komunës së Tetovës, është pikërisht mungesa e Planit Gjeneral Urbanistik. Funksionon që nga viti 2003 dhe e dimë se atëherë ka patur demografi tjetër të popullsisë, tjetër pozitë gjeografike, kurse tash është zgjeruar shumë më shumë dhe duhet të sillen plane detale urbanistike, por që do të jenë në pjesët e zgjeruara të qytetit, me çka edhe komuna do të mund të shlyejë borxhet e shkaktuara nga udhëheqësitë tjera paraprake, por edhe do të zhvillohet qyteti edhe në ato pjesë ku nuk është i zhvilluar”, tha Durmishi.

Në këtë drejtim, Durmishi ka përmendur edhe hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”, që sipas tij, do të ketë ndikim që të mos vazhdojë të ngulfatet qyteti në pjesët qendrore. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments