8.4 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeTë premten, sipas LSDM-së, Zaevi do ta marrë mandatin, Mickovski është për...

Të premten, sipas LSDM-së, Zaevi do ta marrë mandatin, Mickovski është për zgjedhje të reja nëse shterren mundësitë për formimin e Qeverisë

Dy ditë afër afatit për ndarjen e mandatit për përbërjen e Qeverisë, zyrtarisht nuk ka marrëveshje mes partive të cilat fituan më së shumti vende të deputetëve. Nga LSDM-ja thonë se Zaevi është mandatar dhe se po vijojnë bisedimet për shumicën parlamentare, ndërsa Mickovski thotë se e ka njoftuar Ahmetin se pikërisht VMRO-DPMNE-ja është fituese në bllokun maqedonas. Që pasiguria të jetë më e madhe, spikeri i deritanishëm i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se afati për mandat fillon të rrjedh pasi të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe se ende nuk e dërguar shkresën deri te presidenti i shtetit për Parlament të konstituuar, ndërsa shefi i shtetit Stevo Pendarovski thotë se afati rrjedh dhe se Kuvendi është konstituuar me verifikimin e mandateve më 4 gusht të vitit 2020.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski dje në konferencën për media tha se lideri i BDI-së Ali Ahmeti e ka informuar se BDI-ja ka filluar bisedime me LSDM-në, sepse ajo është partia e cila ka fituar në bllokuan maqedonas. Ai nuk është pajtuar me qëndrimin e Ahmetit se LSDM-ja ka fituar në bllokuan maqedonas, duke theksuar se partia e cila bindshëm ka fituar te maqedonasit është VMRO-DPMNE.

Lidhur me mundësinë për zgjedhje të reja parlamentare në vjeshtë, Mickoski vlerëson se ka mundësi për formim të qeverisë, por nëse ato shpenzohen atëherë, siç thotë, mund të bisedohet për zgjedhje të reja.

“Nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë, mendoj se ka akoma mundësi për të formuar qeveri politike, nëse edhe shfrytëzohen atëherë mund të flasim për zgjedhje të reja”, tha Mickoski.

Zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov dje tha se mandatar për përbërjen e Qeverisë së re është Zoran Zaevi.

“Vijojnë bisedime dhe konsultime për shumicën parlamentare dhe koalicion për mandat të plotë, katërvjeçar të qëndrueshëm. Në interes të bisedimeve në këtë moment nuk do të mundnim të jepnim hollësi”, theksoi Kostadinov.

Sa i përket afateve për dhënien e mandatit Kostadinovi theksoi se për LSDM-në është i rëndësishëm qëndrimi i presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski i cili thotë se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillojnë të rrjedhin afatet ligjore dhe se ndarja e mandatit do të jetë brenda afateve.

Liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, të hënën në takimin në Kuvend nuk arritën marrëveshje rreth formimit të qeverisë së re, megjithatë, siç theksuan, bisedimet do të vazhdohen gjatë ditëve në vijim, ndërsa nëse ekziston vullneti do të arrihet epilogu pozitiv.

Zaevi pas takimit theksoi se i vjen keq që nuk mundet menjëherë të thotë se është arritur marrëveshje dhe paralajmëroi se bisedimet do të vijojnë në ditët në vijim. Ai tha se me Ahmetin kishin progres në argumentimin e qëndrimeve të të dyja partive. Ai pret që këtë javë të jepet mandati për formimin e qeverisë dhe porositi se ajo duhet të formohet që të sjellë vendime për përgjigje ndaj sfidave. Lideri i LSDM-së thotë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje sepse do të përsëriteshin rezultatet.

Kryetari i BDI-së Ahmeti tha se me Zaevin kanë biseduar rreth platformave që t’i përfarojnë qëndrimet, duke theksuar se do të varet nga vullneti i të dyja palëve që të arrihet epilog pozitiv në favor të shtetit.

Kryetari i deritanishëm i Parlamentit Talat Xhaferi, vlerëson se pa kryetar të zgjedhur shtëpia ligjvënëse nuk mund të konsiderohet si e konstituuar dhe se ende nuk ka dërguar njoftim deri te shefi i shtetit Stevo Pendarovski për formimin e parlamentit me çka do të fillonin të rridhnin afatet për ndarjen e mandatit. Edhe krahas qëndrimit të tillë të Xhaferit, lideri i tij Ahmeti i filloi bisedimet për shumicën parlamentare me Zaevin.

Presidenti Pendarovski përmes Kabinetit të tij për MIA-n sqaruan se sipas dispozitave kushtetuese në nenin 90 paragrafi 1 afati për ndarjen e mandatit është dhjetë ditë që nga konstituimi i Kuvendit. Me ditën e verifikimit të mandateve të deputetëve konsiderohet se është konstituuar Kuvendi. Pa marrë parasysh shkresën, sipas normave kushtetuese, afatet për ndarjen e mandatit të kandidatit të partisë ose partive të cilat kanë shumicën në Kuvend rrjedhin nga 5 gushti i vitit 2020.

Të premten përfundojnë dhjetë ditët për formimin e qeverisë, pasi u mbajt mbledhja konstituive. Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i shtetit t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicën në Parlament. mandatari në afat prej 20 ditëve që nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendin me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. fc/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments