14.8 C
Tetovo
E premte, 14 Mars, 2025
BallinaLajmeStojanoski-deputet-VMRO: Falë LSDM-së dhe BDI-së, “Pucko Petrol” arriti të rrisë të ardhurat...

Stojanoski-deputet-VMRO: Falë LSDM-së dhe BDI-së, “Pucko Petrol” arriti të rrisë të ardhurat me 40% brenda një viti

“Pas vendosjes në arrest shtëpiak të djalit të një deputeti të BDI-së, pronarit të Pucko Petrol, si masë për një rast ku dyshohet për një krim me vlerë 167 milionë euro për blerjen e mazutit kancerogjen për TEC Negotinë, opinioni ka të drejtë të dijë se pasuria e kësaj kompanie është rritur falë LSDM-së dhe BDI-së”, deklaroi Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Kjo procedurë pasoi pasi Komisioni Kundër Korrupsionit, bazuar në informacionet publike, hapi një çështje dhe më pas nisi procedura për ndjekje penale.

Sipas të dhënave publike, kompania Pucko Petrol prej vitesh furnizon mazut, naftë dhe produkte të tjera për shumë kopshte, shkolla, spitale dhe institucione shtetërore.

Rritja më e madhe e pasurisë së kësaj kompanie ndodhi gjatë qeverisjes së Zoran Zaevit, ku ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe.

Pra, bëhet fjalë për një qeveri të drejtuar nga BDI me LSDM-në si partner minoritar.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave publike, Pucko Petrol në vitin 2021 kishte të ardhura totale prej 48 milionë e 133 mijë euro, që është një rritje prej 40% krahasuar me vitin 2020.

Ky proces fillon në vitin 2018, vetëm një vit pas nisjes së bashkëqeverisjes mes LSDM-së dhe BDI-së.

Vetëm për një muaj, konkretisht në dhjetor të vitit 2018, Pucko Petrol fitoi tenderë me vlerë rreth 3,2 milionë euro, nga të cilat 2,8 milionë euro ishin nga ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”, një kompani që konsiderohet ndër më të zhyturat në borxhe dhe mezi funksionon.

Nëse vetëm për një muaj gjatë qeverisjes së Zaevit dhe Filipçes, Pucko Petrol fitoi tenderë me vlerë mbi 3 milionë euro, mund të imagjinoni sa ka fituar brenda një viti. Dhe kur shtohet fakti që vlera e kompanisë u rrit me 40% në vitin 2021 krahasuar me 2020, konkluzioni i qartë është se kjo kompani nga Plasnica ka përfituar nga institucionet shtetërore të drejtuara nga kuadro të BDI-së dhe ka pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet nën udhëheqjen e LSDM-së.

Për shkak të kësaj qeverisjeje nga Zaev dhe Filipçe, dalin në pah pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit dhe paratë e qytetarëve. Ka ardhur koha që të mbahen përgjegjës për këto biznese të ndërtuara mbi kurrizin e popullit”, deklaroi Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments