Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK për 21 Janarin. SPAK e ka thirrur ish-kryeministrin që të paraqitet ditën e premte në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Kreu i PD-së pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që u derdhën nga Kryeministria.
Lidhur me këtë situatë, avokati Spartak Ngjela tha një zhvillim i tillë vjen pas presionit ndërkombëtar. ”Koha duhet të kishte ecur përpara, por kjo është pas ndërhyrjes ndërkombëtare, të institucioneve të larta dhe gjyqësore, por edhe politike. Nuk është gjë e lehtë të vriten 4 persona, në një tubim paqësor.Berisha ka qenë kryeministër, është i detyruar të shkojë. Edhe Basha ishte ministër i Brendshëm dhe natyrisht. Jemi në hetim, nuk jemi në gjyq, nuk janë të pandehur. Por fakti që ndërkombëtarisht kjo kërkohet, që të zbardhet çfarë ka ndodhur, kush i ka vrarë, pse janë vrarë dhe kush u ka dhënë urdhrat, duhet të hetohet”,-tha Ngjela.Nga ana tjetër, avokati sqaroi se sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse Berisha refuzon fletë-thirrjen më shumë se 2 herë, ai do të shoqërohet me forcë në Prokurorinë e Posaçme. ”Fletëthirrja një herë refuzohet, herën e dytë ata të marrin me dhunë”.
