9.2 C
Tetovo
E shtunë, 20 Prill, 2024
BallinaLajmeSkender Asani / Është e frikshme gjuha antisemite e gazetës KOHA-Shkup!

Skender Asani / Është e frikshme gjuha antisemite e gazetës KOHA-Shkup!

Për punën që po bën, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve ndjehet i kërcënuar nga gjuha e urrejtjes që po përhapet përmes gazetës KOHA (shkrimi me titull: “Instituti që turpëroi shqiptarët”, 28 gusht fq, 2-3). Fatkeqësisht, në vend se në këtë gazetë të zinte vend më tepër fushëveprimi ynë që ka të bëjë me hulumtimin dhe studimin e ngjarjeve e proceseve nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë, ajo është bërë zëdhënëse e një fushate të orkestruar, duke u lënë hapësirë përmbajtjeve e deklaratave tepër problematike (në shkrimin e lart cituar) që kanë të bëjnë me funksionimin e Departamentit për studimin dhe edukimin e holokaustit. Gazeta KOHA përmes ‘punëtorëve shkencor’ anonim paska ardhur në përfundim absurd se ne si ITSHKSH gjoja e paskemi braktisur qëllimin bazik, për çka jemi themeluar – që të merremi vetëm me tema shqiptare, por paskemi bërë gabim trashanik që në kuadër të Institutit tonë paskemi hapur edhe Departamentin për studimin dhe edukimin e holokaustit. Ne si institut gjithashtu paskemi gabuar që jemi marrë me dhe me ndriçimin e iluminizmit shqiptar që erdhi në trojet shqiptare nëpërmjet Protestanizmit. Gazeta KOHA dhe gjithë këshilltarët hileqarë të saj do duhej ta dinë se ne si ITSHKSH kemi nxjerrë në dritë disa vepra mbi këtë iluminizëm, duke u përqendruar në punën kolosale që kishte bërë familja fisnike Qiriazi dhe një plejadë e tërë intelektualësh shqiptarë që ishin edukuar dhe frymëzuar në frymën e këtij iluminizmi. Kongresi i Alfabetit në Manastir, që shënoi bashkimin e parë shpirtëror të shqiptarëve si dhe hapja e Shkollës së parë për çupa në Korçë, ishin dy pika të ndritshme në qiellin e turbullt të historisë shqiptare të fillimit të shek. 20, atëherë ku identiteti kulturor e shpirtëror i shqiptarëve u ruajt nga furtunat asimiluese të fqinjëve grabitqarë pikërisht nga përfaqësues të nderuar të Lëvizjes iluministe protestante në viset shqiptare.Por, ky fushëveprim i yni, si duket dikujt i paska penguar dhe nuk e kemi ditur se pikërisht gazeta KOHA do të bëhet kontejner i këtyre reagimeve antisemite ndaj nesh si Institut, duke e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime që të merremi me Holokasustin, dhe gjithçka që lidhet me vuajtjet e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku shqiptarët kishin dhënë një kontribut kolosal në shpëtimin e tyre nga dora vrastare naziste.Që shqetësimi të bëhet edhe më i madh, kjo gazetë u jep hapësirë edhe prononcimeve të pamatura të përfaqësuesve politikë, të cilët përmes një diskursi antisemit, përhapin gjuhë të urrejtjes dhe bëhen kështu transmetues të disa kohëra të liga nëpër të cilat kishin kaluar hebrenjtë. Pjesë e këtij diskursi, që po e promovon gazeta KOHA, është bërë edhe zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi, i cili pyet publikish: Si është e mundur që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të transformohet në Institut Holokaustit dhe protestantizmit?Është për të ardhur keq se si një medie që do të duhej ta ketë busullë të orientimit gazetarinë e paanshme, bëhet kaq lehtë pre e lakmive ordinere të qarqeve që iu pengon rreshtimi Perëndimor i shqiptarëve dhe vlerat që përfaqëson ky orientim. Në një gazetë si KOHA ku antisemitizmi bëhet armë për të frikësuar drejtuesit e ITSHKSH që të heqin dorë nga studimi i Holokaustit, paraqet problem për një shoqëri si kjo e jona, e cila assesi nuk guxon të rrezikohet nga gjuha e urrejtjes.Është për të ardhur keq se si shfrytëzohen problemet e ditës që të atakohet një Institut, i cili është kampion i kultivimit të tolerancës dhe lirive fetare, fakt ky i përfshirë edhe në dy raportet fundit të State Departamentit Amerikan.ITSHKSH në Shkup pavarësisht kësaj fushate të orkestruar, nuk do të heq dorë nga objektivi madhor që mendimin shkencor ta avancojë në nivele edhe më të larta, duke ofruar të dhëna arkivore e dokumentare mbi ngjarje e procese më pak të njohura për opinionin e gjerë publik, ashtu siç po vepron ditëve të fundit teksa po nxjerr në dritë korpusin tematik mbi Sagën e familjeve shqiptare katolike të Shkupit, ku Bojaxhinjtë e Shën Nënës Terezës zënë vendin qendror.ITSHKSH me projekte serioze do të vazhdojë t’i zhgënjejë të gjithë ata që presin nga ne të heqim dorë nga fushëveprimet tona që janë vertikalja jonë shpirtërore.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments