BallinaLajmeBotaSkadon afati 60-ditor i Donald Trump për luftën me Iranin, kërkohet miratimi...

Skadon afati 60-ditor i Donald Trump për luftën me Iranin, kërkohet miratimi i Kongresit amerikan për operacionet e tjera

Sot përfundon afati 60-ditor që presidenti amerikan Donald Trump ka në dispozicion për të kërkuar miratimin e Kongresit të SHBA për vazhdimin e luftës kundër Iranit, ose në të kundërt të ndalojë operacionet ushtarake.Sipas Kushtetutës amerikane, vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë. Megjithatë, një ligj i vitit 1973 i lejon presidentit të ndërmarrë operacione të kufizuara ushtarake në rast emergjence, por kërkon që brenda 60 ditëve të kërkohet miratim ose të ndërpritet ndërhyrja.

Lufta me Iranin nisi më 28 shkurt dhe Trump informoi Kongresin dy ditë më vonë, duke nisur kështu numërimin mbrapsht. Por administrata e tij argumenton se armëpushimi i 8 prillit ka “pezulluar” këtë afat.

Deklarata është kundërshtuar nga demokratët, me liderin e tyre në Senat, Chuck Schumer, i cili theksoi se afati nuk mund të ndalet ndërkohë që trupat amerikane mbeten në rrezik.

Dy muaj pas fillimit të sulmeve amerikano-izraelite dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit, situata mbetet e tensionuar. Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, vijon të jetë e mbyllur, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës.

Sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë po shqyrton opsione të reja ushtarake për të detyruar Iranin të rikthehet në negociata. Një nga skenarët përfshin edhe përdorimin e forcave tokësore për të marrë nën kontroll pjesë të ngushticës dhe për ta rihapur atë për lundrim.

Një tjetër mundësi është zgjatja e bllokadës ndaj porteve iraniane ose shpallja e njëanshme e fitores nga ana e SHBA-së.

Ndërkohë, një iniciativë diplomatike me emrin “Maritime Freedom Construct” synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të garantuar lirinë e lundrimit në rajon.

Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar pasoja të rënda në rast të një sulmi të ri amerikan. Zyrtarë të lartë kanë theksuar se çdo ndërhyrje, edhe e kufizuar, do të sjellë “goditje të gjata dhe të dhimbshme” ndaj interesave amerikane në rajon.

Edhe lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Irani synon të ruajë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se forcat e huaja “nuk kanë vend” në këtë zonë strategjike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, paralajmëroi se nëse bllokada vazhdon, pasojat do të jenë të rënda për ekonominë globale, me rritje të inflacionit dhe shtim të varfërisë në shkallë botërore.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Irani, Libani dhe Iraku, për shkak të përshkallëzimit të situatës në rajon.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments