16.9 C
Tetovo
E diel, 8 Shtator, 2024
BallinaLajmeSindikatat në RMV: Nuk rikthehet e diela si ditë pune

Sindikatat në RMV: Nuk rikthehet e diela si ditë pune

Sindikatat kanë qenë të kënaqura me shpalljen e ditës së diel si ditë jo pune, për dallim prej biznesit që në vazhdimësi është ankuar për efektet e kësaj nisme. Në gati dy vjet e gjysmë në vend po realizohet në praktikë një ligj i tillë apo nga 1 janari 2022, në Maqedoni e Veriut dita e diel është ditë jo pune me përjashtim të qendrave tregtare, veprimtarive të caktuara tregtare, pompave të benzinës, si dhe veprimtarive ku nuk mund të ndërpritet procesi i punës. Së fundmi sërish janë ngjallur debatet të rikthimit të së dielës si dite pune.

TË MOS PREKET E DREJTA

Nga Lidhja e Sindikatave kërkojnë që të mos preket kjo e drejtë e punonjësve. Bile nga LSM thonë se nevojitet reduktimi i punës me kohë të plotë në javë pune 35 orëshe, duke krijuar kështu mundësi për një mjedis pune më human dhe më shumë kohë për punëtorët për të pushuar, për nevojat e familjeve të tyre dhe zhvillimin e tyre arsimor dhe profesional, gjë që është veçanërisht e rëndësishme sepse potenciali njerëzor është burimi më i rëndësishëm i çdo vendi. Duke shtuar se zyrtarët nuk duhet të ngatërrojnë pagat e tyre 78 për qind të rritura në mënyrë të pamerituar me 78 për qind të punëtorëve që nuk punojnë të dielave.

Nuk ka vend për kthim prapa, qeveria duhet të mendojë për përmirësimin e të drejtave të punës, thekson kreu sindikalist Sllobodan Trendafilov, pas deklaratave të ministres së financave Gordana Dimitrieska Koçoska në Tv 24 se Qeveria po mendon ta shfuqizojë atë. “Deklaratat e tilla të zyrtarëve qeveritarë në fillim të mandatit të tyre janë të pavend dhe në dëm të punëtorëve”, thotë Trendafilov. Ai shton se Gjykata Kushtetuese tashmë ka shpallur diskriminimin në këtë ligj, duke hedhur poshtë nismën e biznesmenëve për shfuqizimin e tij.

Biznesmenët e sektorit të ndërtimit ishin oda e parë e biznesit që pas zgjedhjeve kërkuan publikisht që qeveria të shfuqizojë “të dielën jopune” për punëtorët e ndërtimit dhe të punojnë edhe në ditë festash, përveç të dielave. Arsyetimi i tyre është se ndërtimi kërkon vazhdimësi, pa ndërprerje dhe vonesa. Ministrja Koçoska thotë se secili duhet të punojë kur të dojë.

Qeveria nuk mund të kënaqë 70 mijë pronarë biznesesh në kurriz të 700 mijë punëtorëve, thotë numri një i sindikatave Trendafillov. Ai i tha ministres Koçoska që t’i lërë punëtorët t’i zgjidhin problemet me punëdhënësit përmes sindikatave, dhe përmes dialogut social. “Problemet në ndërtim në asnjë rrethanë nuk duhet të zgjidhen dhe nuk mund të zgjidhen në kurrizin e punëtorëve të ndërtimit duke ulur të drejtat edhe ashtu të vogla të punës. Punonjësi i ndërtimit është përgjegjës për punët e rënda fizike që zakonisht bëhen jashtë dhe në kushte ekstreme të motit, këtyre punëtorëve nuk duhet t’u zvogëlohen ditët jo pune dhe as java të shkurtohet si ditë jo pune. Produktiviteti rritet duke respektuar të drejtat e punëtorëve, duke ofruar orë reale të punës që do të mundësojë ruajtjen e aftësive psiko-fizike të punëtorëve, si dhe pushim për rikthimin e fuqisë punëtore dhe kujdesin familjar”, ​​thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

POLITIKË SOCIALE APO ZHVILLIMI

Përderisa përfaqësuesit e firmave të ndërtimit kërkojnë që punëtorët të ndërtojnë të dielave dhe ditëve të festave. Ata propozojnë ndryshime në ligjin për marrëdhëniet e punës, me të cilin e diela jo pune nuk do të zbatohet për ndërtuesit. Thonë se në vend të asaj sociale duhet të udhëheqim një politikë zhvillimore. “Puna kërkon vazhdimësi dhe procesi teknologjik duhet të zhvillohet pa ndërprerje dhe vonesa. Prandaj, ne vlerësojmë se në vend të një politike sociale, ne duhet të krijojmë një politikë zhvillimi. Një politikë në të cilën do të njihet zellësia, produktiviteti do të ngrihet në një nivel më të lartë, dhe politika sociale, të cilën e pamë nuk na solli të mira dhe nuk e pengoi daljen e personelit jashtë vendit, do të lihej mënjanë”, thekson Andreja Serafimovski, kryetar i Shoqatës së ndërtimit pranë Odës ekonomike të Maqedonisë.

Në ndërkohë nga shtetet e rajonit të dielën si ditë jo pune e gëzojnë punonjësit në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës.

Në pjesën më të madhe të Evropës, puna e së dielës është e rregulluar ose njerëzit të paktën paguhen më shumë. Në Kroaci, ku kisha dhe sindikatat kanë promovuar një “ndalim të fundjavës” – që ka ende shumë përjashtime ku numri i faturave fiskale të lëshuara nuk ka rënë, përkundrazi.

Kroacia filloi të ndalonte punën të dielave në vitin 2023, ndërsa Mali i Zi (2019), Sllovenia (2020) dhe Maqedonia e bëri këtë ndryshim dy vite më parë.

Me pak përjashtime, dyqanet janë mbyllur të dielave dhe festave në Slloveni për katër vjet. Mendimet janë ende të ndara nëse është mirë apo jo, por duket se njerëzit janë pajtuar me këtë masë dhe janë mësuar që një ditë tjetër të blejnë gjithçka që u nevojitet.

EUROPA

Në Evropë ithtarët dhe përkrahësit e punës të dielave bëjnë thirrje për përfitimin e konsumatorëve, të cilët kanë më shumë kohë për të bërë pazar në fundjavë, por edhe për lirinë e tregut, i cili vlerëson më së miri nevojën për punë. Zgjatja e orarit të punës, për çdo kompani individuale, varet nga çmimi që konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë për ofertën e produkteve të caktuara 24 orë në 7 ditë në javë, pasi çmimet mund të rriten për shkak të pagave më të larta për punëtorët dhe pagat e së dielës për punëtorët.

Në anën tjetër të spektrit janë ata që mbrojnë mbylljen e dyqaneve të dielave dhe bëjnë thirrje për mbrojtjen e punëtorëve, të dielën si ditë familjare dhe ditë pushimi dhe mbrojtjen e dyqaneve të vogla nga konkurrenca në zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë. Argumentet në favor të rregullimit të orarit të dyqaneve zakonisht vijnë nga sindikatat dhe federatat industriale, si dhe nga partitë socialiste dhe kristiandemokrate.

Edhe pse ligji i Bashkimit Evropian lejon punën të dielave, më saktë i lihet vendimit të se cilit shtet individual se si të rregullohet puna e së dielës në Evropë, në një numër vendesh, dyqanet ende nuk punojnë. Ka pasur një përpjekje për të kufizuar punën të dielave në nivel evropian, por Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk ka dashur të vendosë një ndalim pune. Në shumë vende të Bashkimit Evropian, puna të dielave është e kufizuar, kështu që edhe 11 vende të Bashkimit Evropian nuk i lejojnë dyqanet të punojnë çdo të diel, megjithëse Belgjika, Franca dhe Spanja kanë përjashtime për qendrat turistike, dhe në Maltë një dyqan mund të funksionojë, nëse paguan një tarifë prej 700 euro në javë.

Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Irlanda, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Holanda, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Suedia punojnë të dielave për të paktën një pjesë të ditës.

Belgjika është një vend ku mund të punosh vetëm nëntë pasdite të dielave në vit, dhe Republika Çeke dhe Danimarka hoqën kufizimet e tyre më shumë se dhjetë vjet më parë. Në Finlandë, megjithatë, mund të funksionojnë dyqane të vogla me më pak se 400 metra katrorë hapësirë ​​për shitje me pakicë. Në Gjermani, puna të dielave është e ndaluar ngjashëm si në Austri. Hungaria kishte dyqane të hapura deri në vitin 2015, më pas kufizuan funksionimin e dyqaneve për një vit dhe çrregulluan tregtimin përsëri në 2016.

Edhe pse një vend i fortë katolik, Irlanda nuk kufizon funksionimin e dyqaneve dhe në Dublin pothuajse të gjitha dyqanet janë të hapura të dielave, ndërsa në Poloni ka një ndalim të tregtimit të së dielës. Qendrat tregtare, supermarketet dhe dyqanet më të vogla janë mbyllur. Restorantet, dyqanet online, pikat e karburantit (përfshirë dyqanet e tyre), disa farmaci, furra buke dhe zyra postare mbeten të hapura. Sipërmarrësit e vegjël mund të punojnë.

Në Irlandën e Veriut, blerjet e së dielës rregullohen nga Urdhri i Tregtisë të së Dielës, kështu që dyqanet janë të hapura nga ora 13:00 deri 18:00. Pub-et në Irlandën e Veriut nuk lejoheshin të hapeshin të dielave deri në vitin 1989. Ligji federal i punës në Zvicër në përgjithësi ndalon punësimin e personelit të dielave. Ligji parashikon përjashtime për dyqanet shumë të vogla, dyqanet në zona të caktuara turistike si dhe dyqanet në stacionet kryesore të trenit dhe aeroportet. Kantonet mund të lejojnë që dyqanet të hapen deri në katër të diela në vit. /Koha/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments