Shqipëria ka bërë një kapërcim të dukshëm në renditjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ardhurat për frymë, por ky përmirësim zbehet ndjeshëm sapo në llogari futet kostoja e jetesës.
Dy mënyrat e matjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë japin sot dy pamje të ndryshme të pozicionit ekonomik të Shqipërisë.
Në treguesin nominal, të shprehur në dollarë amerikanë, Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, shkruan Monitor.al.
Në vitin 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtare (FMN), Serbia kishte të ardhurat për frymë më të lartat në rajon, me 15.3 mijë dollarë, duke ia kaluar Malit të Zi, që u rendit i dyti, me 14.7 mijë dollarë.
Në vend të tretë është ngjitur Shqipëria, që dikur ishte e parafundit në Europë dhe rajon, dhe linte pas vetëm Kosovën.
Shqipëria në 2025-n arrit në nivelin e 11.2 mijë dollarë të ardhura për frymë, duke ia kaluar Maqedonisë së Veriut (10.5 mijë dollarë) dhe Bosnjë Hercegovinës (9.6 mijë dollarë).
Në fund vijon të mbetet Kosova, me 7.9 mijë dollarë. (shiko grafikun: Të ardhurat për frymë -USD).
Por renditja ndryshon kur të ardhurat korrigjohen sipas fuqisë blerëse, pra kur matet se sa mallra dhe shërbime mund të blihen realisht me këto të ardhura në secilin vend.
PPP (barazia e fuqisë blerëse) mat sa mallra dhe shërbime mund të blihen realisht me të ardhurat në një vend, duke korrigjuar diferencat e çmimeve mes shteteve dhe llogaritet me dollarë ndërkombëtare.
