www.telegrami.mk
Është lajm i mirë që po flitet seriozisht për një linjë direkte hekurudhore Shkup–Prishtinë. Nëse qytetarët do të mund të udhëtojnë me tren shpejt, sigurt dhe rregullisht mes dy kryeqyteteve, kjo duhet përshëndetur.
Por ka një problem me mënyrën se si po prezantohet kjo nismë.
Lidhja hekurudhore Shkup–Kosovë nuk është një ide që po lind sot. Ajo ka një histori që shkon shumë më larg se komunikatat partiake të vitit 2026.
Hekurudha në këtë hapësirë është pjesë e një historie infrastrukturore që daton që nga periudha osmane dhe që më pas u zhvillua e u integrua në sistemin hekurudhor të Jugosllavisë.
Madje, në periudhën jugosllave, lidhjet hekurudhore ndërkombëtare përmes Kosovës ishin pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë ballkanik dhe evropian. Treni ndërkombëtar Frankfurt–Athinë kalonte përmes Kosovës dhe Shkupit, duke lidhur Evropën Qendrore me Greqinë.
Pra, pyetja nuk është nëse duhet përshëndetur një lidhje Shkup–Prishtinë.
Patjetër që po.
Pyetja është: a po ndërtojmë diçka të re, apo po rikthejmë një lidhje që dikur ekzistonte dhe që për arsye të ndryshme u ndërpre?
Sepse ka një dallim të madh mes këtyre dy gjërave.
Nëse linja Shkup–Prishtinë rikthehet pas një ndërprerjeje shumëvjeçare, atëherë merita politike nuk është se “u shpik” lidhja hekurudhore, por se u krijuan kushtet që ajo të rikthehet dhe të funksionojë në mënyrë moderne.
Dhe këtu duhet të flasim për gjërat konkrete:
- sa do të zgjasë realisht udhëtimi;
- sa trena do të ketë në ditë;
- sa do të kushtojë bileta;
- a do të jetë linjë e rregullt gjatë gjithë vitit;
- çfarë investimesh janë bërë në infrastrukturë;
- dhe, mbi të gjitha, a do të jetë kjo një lidhje e qëndrueshme apo vetëm një projekt që inaugurohet me bujë dhe pastaj harrohet?
Edhe shifra “50 minuta” duhet të shpjegohet mirë. Nëse bëhet fjalë për një shërbim modern dhe konkurrues me transportin rrugor, atëherë është objektiv serioz. Por qytetarët meritojnë të dinë nëse bëhet fjalë për kohën reale të udhëtimit Shkup–Prishtinë apo për një objektiv të ardhshëm.
Prandaj, VLEN-in mund ta përgëzojmë për çdo hap konkret që çon në rikthimin e trenit Shkup–Prishtinë.
Por mos e paraqitni sikur historia fillon me ju.
Një lidhje hekurudhore mes këtyre hapësirave ka ekzistuar shumë përpara komunikatave partiake.
Nëse e riktheni dhe e bëni funksionale, do të jetë një arritje. Por është rikthim i një lidhjeje historike, jo shpikje e saj.
Dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë se një njoftim politik:
duan trenin të ecë...www.telegrami.mk
