Kryeministri i vendit Zoran Zaev nëpërmjet një kumtese me shkrim lëshuar mediave ka uruar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Ai thekson se me kremtimin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, konfirmohet përkushtimi i përbashkët për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor, përkatësisht pasurinë e RMV-së.
Mes tjerash në kumtesë thuhet:
Sot, në Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ndodhet edhe vendimi i alfabetit të standarizuar të gjuhës shqipe, si dhe kopja e tekstit të parë të shkruar në gjuhën shqipe nga Pal Engjëlli i vitit 1462.
Me unifikimin dhe standardizimin e alfabetit, shkrimi i gjuhës shqipe bëhet pjesë e shkrimeve të barabarta, moderne evropiane dhe pjesë e pasurisë së larmishme të trashëgimisë kulturore botërore.
Gjuha dhe alfabeti i saj janë pjesë e kodit gjenetik të një kombi dhe rrjedhin nga e drejta universale e vetëvendosjes. Në atë kod gjenetik janë elementët e identitetit dhe potencialet për komunikim, integrim shoqëror, arsim dhe zhvillim.
Detyra jonë dhe e shtetit është të respektojë, ruajë dhe kultivojë veçoritë e gjuhës dhe shkrimit të secilit prej komuniteteve.
Në këtë drejtim na bëjnë thirrje edhe vlerat evropiane, si vlera që ne i kemi pranuar sikur të ishin tonat, në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian.
Me kremtimin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, konfirmojmë përkushtimin e përbashkët për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor, përkatësisht pasurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërtojmë një shoqëri të vetme – të barabartë për të gjithë. Ndërtojmë shoqëri civile, njëkohësisht duke respektuar dallimet etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore. Kjo është e veçanta dhe thelbi i unitetit që është ndërtuar ndër shekuj dhe paraqet detyrim për të ardhmen tonë të përbashkët.
Prandaj jemi krenarë dhe prandaj diversitetin etnik dhe gjuhësor e konsiderojmë si përparësi dhe pasuri të përbashkët. Prandaj themi: Sot kur ne e shënojmë dhe festojmë Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, së bashku festojmë ekzistencën dhe afrimin e dy traditave kulturore që kanë mbijetuar së bashku.
Kjo është një dëshmi e fortë se gjuha dhe shkrimi janë ura e traditave, kulturave dhe trashëgimeve tjera shpirtërore. Janë çelësat që hapin dyert e botërave të tjera për të njohur, respektuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.