5.5 C
Tetovo
E martë, 12 Nëntor, 2024
BallinaLajme“Shkumbini” në lagjen Dardania pranë kolapsit, Komuna e Tetovës nuk e ka...

“Shkumbini” në lagjen Dardania pranë kolapsit, Komuna e Tetovës nuk e ka pastruar shtratin e lumit

Shtrati i Lumit Shkumbin në lagjen Dardania në Tetovë është jashtëzakonisht i ndotur me mbeturina nga më të ndryshmet. Banorët e lagjes kanë frikë se lumi mund të del nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje sidomos këto ditë ku reshjet e shiut janë shtuar. Alarmon edhe shoqëria civile. Kurse Komuna e Tetovës edhe pse filloi aksionin e pastrimit të shtratit të lumit, këtë pjesë të qytetit e ka “harruar”, ndërsa injoron pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Reshjet e shiut të javës së fundit kanë rritur frikën për banorët e lagjes Dardania nën rrugën Industriale në Tetovë se Lumi Shkumbin mund të del nga shtrati dhe të shkaktojë dëme.

Kjo për shkak se shtrati i lumit në këtë pjesë të qytetit është i mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet si: orendi shtëpiake, dërrasa, materiale ndërtimore, veshje, shishe plastike, drunj dhe shumë mbeturina të tjera.

“Së shpejti do të shpërngulemi në lagjen Dardania, kohës së fundit më ka rënë të kaloj shpesh andej. Sinqerisht jam i tmerruar nga pamjet dhe nga gjendja e lumit në këtë pjesë. Duhet intervenim urgjent, jo pastaj kur të ndodh ndonjë fatkeqësi të themi se nuk ishim të përgatitur. Kjo gjendje me të vërtetë është skandaloze”, tha një qytetar.

“Rregullimi i shtratit të lumit jo vetëm që do të zgjidhte problemin nga vërshimet por do të rregullonte edhe çështjen e ujitjes së tokave bujqësore. Ndërtimi i sistemit të ujitjes për bujqit do ishte edhe një zgjidhje për këtë lagje”, tha një qytetar tjetër.

Kjo situatë alarmante kërkon veprime të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për të parandaluar pasoja të rënda ekologjike dhe shëndetësore. Kështu thonë për Portalb.mk nga nisma Më Mirë për Tetovën.

“Autoritetet duhet të organizojnë një aksion të menjëhershëm për pastrimin e kësaj deponie, duke angazhuar firma të specializuara për menaxhimin e mbetjeve. Të kryhet një inspektim i plotë i zonës për të identifikuar burimet e ndotjes dhe për të mbledhur prova për ndjekjen e përgjegjësve”, thanë nga MMPT.

Ata thonë që situata mos përsëritet duhet të vendoset një sistem monitorimi për të mbajtur nën kontroll gjendjen e lumit dhe për të parandaluar krijimin e deponive të tjera në të ardhmen.

“Autoritetet lokale dhe qendrore duhet të veprojnë menjëherë për të adresuar këtë problem dhe për të siguruar që Lumin Shkumbin të mbetet një burim jete dhe jo një depo mbeturinash”, theksuan nga MMPT.

Pavarësisht ndotjes së madhe, nga Policia e Tetovës shkurt na njoftuan se nuk ka ndonjë raportim për ndotje të Lumit Shkumbin.

Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Tetovës sipas faqes së prokurimeve publike ka lidhur kontratë me “Çabi Trans” për pastrimin e shtretërve të lumenjve në territorin e komunës, ku përfshihet edhe Lumi Shkumbin, mirëpo kontrata nuk është publikuar ende.

Nga Komuna e Tetovës në fillim të këtij muaji filluan të lavdërohen në rrjetet sociale se ka filluar pastrimi i shtratit të lumit, ndërsa më pas edhe se është pastruar shtrati i lumit. Por, duke mos përfshirë pjesën e lumit që ndodhet nën urën industriale te lagja Dardania ku situata mbetet alarmante.

Komuna e Tetovës në një përgjigje të një kërkese në informatat e karakterit publik, më 5 korrik 2024 premtuam zgjidhje për shtratin e lumit në lagjen Dardania.

“Sa i përket lagjes Dardania, është në procedurë thirrja publike për zgjedhjen e operatorit ekonomik i cili do të realizojë punimet për rregullimin e shtratit të lumit. Vlera totale arrin afet 20 milionë denarë dhe pritet brena vitit të fillojnë punimet”, thanë me 5 korrik 2024 nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk vazhdimisht me javë të tëra kërkon përgjigje na Komuna e Tetovës për këto pyetje, por nga atje injorojnë pyetjet gazetareske mbi këtë çështje.

Në ndërkohë Komuna e Tetovës më 11 shtator 2024 ka hapur tender të ri, për vendosjen e murit mbrojtës në shëtitoren e Lumit Shkumbin, data e fundit e shpalljes publike është më 30 shtator 2024.

Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për këtë problem Portalb.mk me vite të tëra raporton, autoritetet vazhdimisht kanë premtuar zgjidhje, por deri tani siç edhe shihet nga pamjet në terren nuk ka rezultat konkret.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments