Shkëndija e Tetovës po vazhdon me paraqitje të mira në Ligën e Konferencës. Të enjten mbrëma në Solna, Shkëndija barazoi 1:1 me nënkampionin e Suedisë, AIK-un. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të tretë të Ligës së Konferencës.
Tetovarët do ta kërkojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit, që luhet më 11 gusht në Shkup. Në Suedi, Shkëndija kaloi në epërsi që në minutën e parë. Ishte Ferhan Hasani që fitoi një top nga mbrojtja e skuadrës suedeze dhe goditi saktë për 1:0. Ai shënoi pas vetëm 27 sekondave. Vendasit barazuan rezultatin në minutën e 17-të. Realizatori ishte John Guidetti.Ndeshja ishte e hapur dhe me shumë raste. Madje më shumë ka rrezikuar Shkëndija. Sipas të dhënave zyrtare, Shkëndija ka provuar 12 herë, ndërsa AIK-u kishte tetë tentime për gol. Shkëndija i kishte gjashtë gjuajtje në kornizë të portës, ndërsa AIK-u pesë. Ndeshja është luajtur para një numri të madh shikuesish. Ndërkohë përkrahje nga tifozët kishte edhe Shkëndija. Shkëndija në raundin e parë kualifikues kishte kaluar Araratin e Armenisë, duke e mposhtur me rezultatin e përgjithshëm 4:2. Valmiera e Letonisë ishte skuadra e eliminuar nga tetovarët në raundin e dytë kualifikues. Shkëndija kaloi raundin e dytë me rezultatin e përgjithshëm 5:2. Shkëndija tashmë ka 11 vjet që paraqitet në gara evropiane. Ka munguar vetëm një edicion. Dhe ecja para e saj është e hovshme. Shkëndija është prej skuadrave shqiptare me ecurinë më të mirë në gara kontinentale.