Deklasojmë Vardarin me shifrat 4:0 në një ndeshje spektakolare në Tetovë dhe pas xhiros së 8-të marrim sërish kryesimin e renditjes në LPFMV. Trumçi, Ibraimi, Ahmedi dhe F. Ramadani shënuan golat për kuqezinjtë.
SHKËNDIJA – VARDARI 4:0 (3:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Trumçi 3’, Ibraimi 13’, Ahmedi 27’ dhe F. Ramadani 73’ (Shkëndija)
Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, Cake, Adili, Merxhani, R. Ramadani (Jakupi 80’), Qaka (Alhassan 63’), Ahmedi (Kërstevski 63’), Ibraimi (c) (Nuhija 90’), Shala, Ademi (F. Ramadani 63’).
Trajner: Jeton Beqiri
VARDARI: Gaçevski, Çosiq, Gjuriq, Dongmo, Mishkovski (Seukgjun 46’), Kostov (Cvetkov 46’),
Nikollovski (Dianessu 46’), Duranski (Jonus 80’), Bërdarovski, Bosançiq, Mecinoviq (Zakariq 46’).
Trajner: Sërgjan Zaharievski
Një Shkëndijë që të kënaq zemrën sot kanë parë gjithë spektatorët në Tetovë e gjetiu ku kanë ndjekur ‘shkeljen’ që kuqezinjtë i bënë Vardarit në duelin e xhiros së 8-të në LPFMV. Start i furishëm me golin e Trumçit, Ibraimi ‘shtriu’ për toke Gaçevskin për të shtuar të dytin, derisa kryevepër prodhoi Ahemdi për 3:0. Vulën fitores i vendosi F. Ramadani me një super gol në pjesën e dytë për fitore pestë sezonale të Shkëndijës dhe marrje të pozitës së parë në renditje pas vetëm 4 ditëve.
Në një ambient të bukur Shkëndija nisi me sulme të shpejta dhe qasja ofenzive dha rezultat pas vetëm 3 minutave lojë kur mbrojtësi i djathtë Trumçi shfrytëzon pasimin e Ibraimit dhe me një të majtë precize na jep epërsi 1:0 me golin e parë në fanellën e Shkëndijës. Dy minuta më vonë Ademi provoi me goditje nga distanca, pa gjetur kuadratin, mirëpo do të vinte shpejt edhe goli i dytë i kuqezinjëve. Reshat Ramadani sjell super asist për Ibraimin, i cili ‘shtrin’ për toke Gaçevskin, para se të përcjellë topin në rrjetë për 2:0 (13’). Kuqezinjtë vazhduan të luajnë me tempo të lartë dhe golit të tretë i’u afruam me Ademin që doli i vetmuar para Gaçevskit, mirëpo nuk arriti ta parabolonte si duhej duke çuar topin mbi portë. Mirpëo Vardari nuk ishte i denjë për të rezistuar dhe në minutën e 27-të Valon Ahmedi luan shkurtë një këndore me Trumçin, para se me një të majtë precize të realizojë gol fantastik për 3:0. Kundërshtari ishte totalisht inferior dhe goditjen e parë në drejtim të portës sonë e sollën në minutën e 43-të me Nikollovskin që gjuajti skaj shtyllës. Në minutën e fundit të pjesës së parë provuam me Ademin, por pa sukses.
Katër zëvendësime solli në start të pjesës së dytë trajneri i Vardarit, Zaharievski, duke treguar pakënaqësinë nga pjesa e parë, mirëpo nuk është se arritën të ndryshonin shumë gjëra në terren. Pa kaluar 6-të minuta u kanosëm me Caken që nuk gjeti kuadratin, ndërsa në anën tjetër (59’) gati një orë lojë u deshën që të shohim goditjen e parë të kundërshtarit në kuadrat, mirëpo Amzai kontrolloi tentimin e Zakariqit. Vula e ndeshjes do të vinte në minutën e 73-të kur Florent Ramadani me një të majtë të fortë shënon gol të bukur për 4:0, duke sjellë një tjetër realizim fantastik në ndeshjet me Vardarin. Në vazhdim nuk pati shumë bukuri në lojë, kundërshtari provonte me provokime të sillte ndonjë incident, me përjashtime të vogla publiku arriti të injoronte dhe në fund marrim fitoren numër 5 në 8 ndeshje të këtij sezoni.