Vendimi për pezullimin e ndihmës ushtarake amerikane ka dhënë efektin e menjëhershëm në Ukrainë. Ka qenë vetë presidenti Volodymyr Zelenksy që ka dhënë sinjale tërheqjeje, ku me anë të një statusi në rrjetet sociale shpreh keqardhjen për debatin e ashpër dhe përplasjet e forta në Zyrën Ovale me presidentin Trump dhe zv/presidentin Vance.
“Është për të ardhur keq që ndodhi në këtë mënyrë. Është koha për t’i rregulluar gjërat. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv. Ne vërtet e vlerësojmë se sa shumë ka bërë Amerika për ta ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe ne kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan, kur Presidenti Trump i dha Ukrainës Raketat Javelins. Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky.
Më tej presidenti ukrainas ka propozuar disa faza deri në marrëveshjen përfundimtare për dhënien fund të luftës. Ato janë lirimi i të burgosurve, ndalimin e bombardimeve ajrore dhe detare në infrastrukturën civile dhe energjetike. Zelenksy thotë se është i gatshëm për të firmosur në çdo kohe dhe format të përshtatshëm marrëveshjen e lënë pezull për mineralet e rralla me SHBA-të.