4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSarrazin: Gjermania ende pa qëndrim nëse Asociacioni do të jetë kusht para...

Sarrazin: Gjermania ende pa qëndrim nëse Asociacioni do të jetë kusht para anëtarësimit të Kosovës në KiE

Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, në një bisedë me gazetarë ka folur për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe Asociacionin, për të cilin thuhet se mund të jetë kusht para anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Sarrazin tha se zhvillimet e fundit në veri e sollën serish në Prishtinë, teksa për sa i përket çështjes së Asociacionit dhe mundësisë që mosthemelimi i tij të bëhet pengesë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, diplomati gjerman tha se shteti i tij ende nuk ka qëndrim.

“Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bokayanis, është procedura tutje e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë. Por, ju e thatë ka lidhje dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është përmendur si çështje dhe ne do ta konsiderojmë atë por Qeveria e Gjermanisë ende nuk ka pozicion për këtë”, ka thënë Sarrazin.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, Sarrazin tha se e konsideron tani kohën e duhur që të vazhdohen tutje hapat për krijimin e Asociacionit.

“Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë kah Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por unë nuk mund t’ju them se çfarë ato do të bëjnë nëse kjo kryhet ose jo sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën por edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet tutje. Mund të llogarisni në Gjermaninë, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës. Por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, ka shtuar Sarrazin.

Gjatë ditës, Sarrazin është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, kryeministrin Albin Kurtin, Listën Serbe dhe shoqërinë civile.

Ai tha se nga takimi me Listën Serbe nuk doli me ndonjë ide të qartë se si ky subjekt mund të tërhiqet nga vendimi për ta bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri më 21 prill.

“Ky takim nuk më dha shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, ka thënë emisari gjerman.

Por, i pyetur rreth lobimit të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, diplomati gjerman refuzon të vlerësojë cila palë po e shkelë atë, por e ka të qartë se një gjë të tillë nuk e lejon marrëveshja mes palëve.

“Unë nuk jam në pozitën e referit që të vendosë kush po e shkel marrëveshjen e kush jo. Por, sipas pikëpamjes time dhe asaj si e lexoj Marrëveshjen e Ohrit, Serbia nuk duhet të pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë më tej Sarrazin.

Për marrëveshjen, Sarrazin shtoi se të dyja shtetet duhet t’i kryejnë obligimet e tyre./Dukagjini

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments