Samiti në Tiranë, përplasje mes Kosovës dhe Serbisë

40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është përplasur me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, gjatë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Kurti tha se në samitin e mbajtur në Tiranë të Shqipërisë, Bërnabiq “nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.

“Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vjetësh pavarësinë nga Serbia. Është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti, transmeton REL.

Shefi i ekzekutivit kosovar po ashtu foli për iniciativën e “mini-Shengenit”, duke thënë se nisma të tilla ngecin për shkak se mungon njohja e Kosovës nga Serbia.

“Nuk ka më ‘mini-Shengen’, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti para gazetarëve në Tiranë.

Rama: “Mini-Shengeni” sjell vetëm përfitime

Por, për dallim nga Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për mediat me komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Oliver Varheyli u shpreh se Shqipëria mbetet e palëkundur se projekti i “Shengenit rajonal” është një projekt strategjik me përfitime për rajonin.

“Ne mbetemi të palëkundur se projekti i ‘Shengenit rajonal’ është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me Bashkimin Evropian është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur po zotërojmë procesin dhe procesi i Berlinit të kalojë në duart e Komisionit Evropian”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Rama tha se një nga çështjet e diskutuara në samit ishte dhe kërkesa që liderët e rajonit i adresuan BE-së për lëvizjen e lirë pa detyrime shtesë, pas pandemisë së COVID-19.

Ai tha se liderët kërkuan që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit të njihet në BE dhe çdo qytetar i një vendi ballkanik të lëvizë lirshëm si ata të BE-së kur janë të pajisur me këtë mjet.

“Brenda rajonit dhe me Hungarinë kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrim e ekstra teste. Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur komisionerit dhe BE kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në BE dhe ne të lëvizim lirisht si ata të BE-së”, u shpreh Rama.

Në anën tjetër, Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi tha se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sjellë një plan rreth 30 miliardë eurosh investime evropiane në rajon.

“Ne jemi të gatshëm që të rikonfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan që e kemi treguar që në vjeshtë që mobilizon një të tretën PBB-së (Bruto Prodhimi i Brendshëm) së rajonit. Pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon. Ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se nuk kemi një treg rajonal”, u shpreh komisioneri, duke përkrahur përsëri iniciativën për “Shengenin rajonal”.