Gjykata Themelore Penale në Shkup përballet me mungesë serioze të nëpunësve gjyqësorë dhe juristëve porotë, por njëkohësisht shënon ulje të ndjeshme të numrit të lëndëve të vjetra dhe trend të zvogëluar të parashkrimit të lëndëve penale. Kjo u bë e ditur në brifingun e sotëm me gazetarët në Gjykatën Penale.
Sipas të dhënave të Gjykatës, aktualisht në Gjykatën Penale veprojnë 53 gjyqtarë. Prej tyre, tetë janë mbi moshën 59-vjeçare, ndërsa pesë tashmë e kanë kaluar moshën 64 vjeç. Kjo, siç theksojnë nga Gjykata Penale, do të thotë se gjatë tre viteve të ardhshme një pjesë e madhe e tyre do të dalin në pension, ndërsa pritet që të mos ketë gjyqtarë të rinj, pasi Akademia nuk ka gjenerata të reja.
Mungesa e personelit është edhe më e theksuar në administratë dhe te personeli ndihmës. Sipas sistematizimit, në Gjykatën Penale janë parashikuar 628 vende pune, ndërsa janë plotësuar vetëm 208.
Aktualisht, për funksionimin e rregullt të gjykatës janë angazhuar vetëm 18 pjesëtarë të policisë gjyqësore, dy punonjës teknikë dhe shtatë higjieniste.
Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2026 kanë dalë në pension 13 të punësuar, ndërsa në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2025 numri i nëpunësve është ulur për 131 persona.
Problem serioz në organizimin e gjykimeve paraqet edhe mungesa e juristëve porotë. Për funksionimin pa pengesa të proceseve nevojiten 70 porotë, ndërsa aktualisht janë aktivë vetëm 52, prej të cilëve 17 janë zgjedhur rishtazi.
Më pak lëndë të vjetra
Pavarësisht sfidave me personelin, nga Gjykata informojnë për përparim të konsiderueshëm në efikasitetin dhe trajtimin e lëndëve të grumbulluara.
Ndërsa në gusht të vitit 2025 kishte 896 lëndë të vjetra, në gusht të vitit 2026 ky numër është ulur në 368 lëndë, ku ulja më e madhe është shënuar te lëndët kundërvajtëse dhe sanksionet.
– Kjo është një ulje prej rreth 59 për qind të lëndëve të vjetra. Pra, pavarësisht burimeve të kufizuara dhe numrit të vogël të të punësuarve, kemi përfunduar një punë shumë të madhe – theksojnë nga Gjykata Penale.
Sa lëndë janë parashkruar?
Në brifing u prezantuan edhe të dhëna për parashkrimin e lëndëve penale gjatë viteve të fundit.
- 2022: 16 lëndë të parashkruara
- 2023: 18 lëndë
- 2024: 26 lëndë
- 2025: 20 lëndë
- 2026: 6 lëndë të parashkruara gjatë nëntë muajve të parë
Siç theksojnë nga Gjykata, shkak për parashkrimet gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka qenë ndryshimi i Kodit Penal.
Në Departamentin e Specializuar, i cili është me interes të veçantë për opinionin publik, të dhënat janë:
- 2022: nuk ka pasur parashkrime
- 2023: 9 lëndë
- 2024: nuk ka pasur parashkrime
- 2025: 3 lëndë
- 2026: nuk ka pasur lëndë të parashkruara
Edhe në këtë rast, siç u theksua në brifing, parashkrimi i lëndëve lidhet me ndryshimet e Kodit Penal.
Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale
Sa i përket modernizimit dhe digjitalizimit, nga Gjykata Penale njoftuan se është duke u zhvilluar procesi i lidhjes elektronike me Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme, me qëllim regjistrimin më efikas të hipotekave.
Në periudhë testuese është edhe një mjet i ri për anonimizimin e vendimeve gjyqësore, i bazuar në inteligjencën artificiale (IA), i zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë Brainster.
Duke pasur parasysh se në legjislacionin vendor ende nuk ekziston një rregullim ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale në drejtësi, Gjykata Penale njoftoi se zyrtarisht do t’i kërkojë Këshillit Gjyqësor leje për përdorimin e saj.
