Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me rastin në Vrapçisht, ku familjarët e një gruaje të vdekur, në vend të trupit të saj, në arkivol kishin gjetur trupin e një mashkulli.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Klinika nuk ka bërë gabim dhe se barra për transportin e kufomave bie mbi morgun – ndërmarrjet për transportin e kufomave.
“E informojmë publikun se asnjë institucion shëndetësor në shtet, as Klinika Infektive nuk ka bërë gabim të tillë. Të gjitha spitalet dhe qendrat Kovid në tërësi i respektojnë protokollet për veprim ndaj trupave të të vdekurve në kushte spitalore, të dyshuar ose të vërtetuar me Kovid-19. Pas vdekjes dhe përgatitjes së trupit në përputhje me protokollet për mbrojtje nga Kovid-19, menjëherë thirret ndërmarrja komunale publike e komunës apo shërbimi i varrimit – Butel për Qytetin e Shkupit të cilëve u dorëzohet trupi. Ndërmarrjet e varrimit dhe jo spitalet i dorëzojnë trupat te familjet dhe e organizojnë varrimin”, thanë nga MSH.
Familjarët e gruas së ndjerë, arkivoli i së cilës ishte ngatërruar me një burrë në moshë të thyer, për TV21 kanë bërë të ditur se e kanë gjetur kufomën.
Siç bëjnë të ditur familjarët, arkivoli i nënës së tyre është gjetur në morgun e Gostivarit, ku është sjellë nga Klinika Infektive.