Balla: Proces i domosdoshëm për të rritur besueshmërinë
Rreth 8 muaj nga ndërprerja, ka rinisur këtë të hënë procesi i vetingut në radhët e policisë. I pari drejtues mes 34 emrave të shortuar në Prill të këtij viti, ishte Edmond Sulaj, drejtor aktual i Policisë Shkodër.
Pas verifikimit të deklarimeve të bëra prej tij, trupa vlerësuese e AMP në një seancë të hapur, vendosi ta konfirmojë atë në detyrë.
Për rinisjen e procesit të vetingut reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij ky është mekanizëm i domosdoshëm vlerësimi, që forcon besueshmërinë tek qytetarët.
Nga muaji Prill, kur AMP u ngarkua për të zhvilluar procesin e vlerësimit kalimtarë për të gjithë postet drejtuese në radhët e uniformave blu, ka vetëm 3 vendime.
Të cilat nuk lidhen me konfirmimin ose jo në detyre të subjekteve të verifikuara, por me përjashtimin e tyre nga procesi i vlerësimit kalimtar.
Ndërkohë nën efektet e ligjit të vjetër për vetingun, vlerësimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale i janë nënshtruar 37 drejtues të lartë, nga të cilët vetëm 2 prej tyre janë shkarkuar nga detyra.
Tv Klan