7.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeReagim i TV21: “ Nga Ziadin Sela dhe ASH po bëhet...

Reagim i TV21: “ Nga Ziadin Sela dhe ASH po bëhet presion ndaj punës së redaksisë së televizionit?”( video)

Për arsye ende të paqarta, të paktën deri më tani, Televizioni 21 u bë shënjestër e akuzave të rënda dhe të pabaza nga ana e Aleancës për Shqiptarët. Kryetari i kësaj partie në profilin e tij në Twitter akuzoi televizionin tonë se përmes emisionit EU-Click po bën fushatë për disa parti politike. Ziadin Sela akuzoi se TV21 përmes emisionit EU Click po shfrytëzon fonde nga BE për promovimin e fushatës së BDI-së.

Këto janë shpifje e akuza të rënda. Emisioni EU Click nuk është emision politik apo debatues. Ky emision ka karakter informativ përmes së cilit qytetarët informohen për fondet e BE-së që janë në dispozicion të vendit dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut. Emisioni nuk shfrytëzohet për fushatë parazgjedhore.

Tema e emisionit të fundit të EU Click ishte epidemia me Covid-19. Z. Bujar Osmani ishte i ftuar si koordinator nacional për ndihmë nga vendet e huaja dhe koordinator kryesor i pushtetit lokal në luftën kundër Covid-19. Tema e emisionit ishte vetëm epidemia e virusit të ri. Z. Visar Ganiu ishte i ftuar si kryetar i Komunës së Çairit, për shkak se në kohën e fundit, kjo komunë ka shënuar rritje të rasteve të të infektuarve, por gjithashtu Ganiu është ftuar edhe si person i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Të gjitha pyetjet e parashtruara në këtë emision, konsistonin me temën e lartpërmendur. Në asnjë moment nuk është folur për program zgjedhor apo fushatë zgjedhore. Për këtë arsye akuzat e Aleancës për Shqiptarët janë të pabaza.

Duket akoma më shqetësuese nëse kemi parasysh se Aleanca për Shqiptarët ishte e përfaqësuar si parti në dy emisionet e mëparshme të EU Click.

Javën e kaluar në këtë emisionin i ftuar ishte Omer Ajdini nga Forumi Rinor i ASH-së. Para disa javëve i ftuar ishte z.Bekim Tateshi. Më pas, në këtë emision ka qenë e ftuar edhe znj. Arta Toçi, ish-zv/ministre për Punë të Jashtme. Nuk kanë munguar edhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie.

Nga ana tjetër, në emisionin Click Plus, këtë javë i ftuar ishte sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari. Pothuajse çdo javë, sa herë që flitet për tema politike, në emisionet tona debatuese ka përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, apo, marrin ftesa për të qenë pjesë e paneleve. Në mënyrë të rregullt dhe respektabile kjo parti është e përfaqësuar në Magazinën informative të lajmeve në TV21, por edhe në të gjithë emisionet me karakter të ndryshëm. Gati të gjitha konferencat për shtyp të Aleancës për Shqiptarët transmetohen live në faqen tonë të Facebook-ut. Kjo është provë se TV21, si për të gjitha partitë, ashtu edhe për Aleancën për Shqiptarët ka qenë çdoherë i hapur, korrekt dhe profesional.

Por, për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që po përballemi me tentativa të tilla për presion nga ana e kësaj partie. Megjithatë, sot për herë të parë, vendosëm që të reagojmë duke vlerësuar se do të ishte e udhës që opinioni publik të jetë i njoftuar për atë se çfarë po ndodh.

Pyesim, a mund të vlerësohen këto akuza si presion ndaj punës profesionale të TV21 nga ana e sektorit për Marrëdhënie me Publikun të Aleancës për Shqiptarët? Njëkohësisht pyesim, nëse presione të tilla bëhen kur ata janë në opozitë, çfarë do të mund të ndodhë nëse në të ardhmen kjo parti vjen në pushtet? Përtej gjithçkaje, TV21 nuk do të bie pre e presioneve, jo vetëm nga Aleanca për Shqiptarët por nga asnjë parti tjetër, pa marrë parasysh a janë në pushtet apo opozitë. TV21 si medium profesional, i cili në Maqedoninë e Veriut ekziston qe 5 vite, ndërsa është pjesë e grupacionit 21Media dhe RTV21 i themeluar para 22 viteve në Prishtinë-Kosovë, do të mbetet i hapur për të gjitha partitë politike, njësoj edhe për Aleancën për Shqiptarët.

TV21 ka mision të vetëm, informimin profesional, i paanshëm e të balancuar. TV21 në të gjithë raportet e agjencive relevante vendase dhe të huaja,  është vlerësuar si televizion neutral. I tillë do të mbetet edhe në të ardhmen.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments