Pas aktualizimit të kontestit pronësor ndaj Televizionit Alsat dhe vendimit gjyqësorë për ta vendosur në shitje publike një pjesë të pronës së televizionit, partitë në pushtet kanë shpalosur qëndrimet e tyre. Alternativa e Afrim Gashit i bën thirrje Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit të ndalojnë presionin ndaj Alsatit dhe njëkohësisht të ndërmerr hapa urgjent kundër rrëzimit të besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit. Në qëndrimin e Alternativës theksohet mos justifikimi që për faj të një lëshimi institucional të ushtrohet presion ndaj një media të pavarur dhe të vetme e nivelit kombëtarë në gjuhën shqipe.“AlternAtivA mendon se në këtë mënyrë po ushtrohet presion ndaj medias, në këtë rast ndaj televizionit nacional – të themeluar nga një kompani shqiptare – që për vite shërben si model për ndërtimin e shoqërisë multientike në vendin tonë. Nuk është e justifikueshme që për gabimet që i bëjnë institucionet faturën ta paguajnë mediat ose qytetarët. Për këtë arsye, AlternAtivA do të angazhohet në institucionet e pushtetit që të ndalet ky presion ndaj TV “Alsat-M”, ndërsa me këtë rast i bën thirrje pushtetit që mos të lejojë që dëme të këtilla ta rrënojnë besimin ndaj institucioneve”, thonë nga Alternativa . alsat.mk