9.1 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeRama nga “Qafë Thana” ndalet tek “Korridori 8”: Puna është ndarë në...

Rama nga “Qafë Thana” ndalet tek “Korridori 8”: Puna është ndarë në 4 pjesë, po hapen kantiere të tjera

Nga Qafë Thana, ku së bashku me homologun Kovaçevski mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të programit të ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama nuk la jashtë qendrës së vëmendjes edhe punimet në Korridorin 8, një projekt madhor që sipas tij po shkon përpara me Maqedoninë e Veriut.

Kreu i qeverisë tha se puna është ndarë në 4 pjesë, dy kantiere të hapura dhe dy kantiere të tjera që priten të hapen së shpejti.

“Kryeministri preku me të drejtë një projekt madhor që po e çojmë përpara së bashku, Korridorin 8. Një ëndërr shumë e vjetër të cilës i ka ardhur dita të realizohet dhe në të dyja anët e kufirit tanimë po punohet konkretisht në terren për ndërtimin e këtij korridori. Ne kemi dy kantiere të hapura dhe jemi në prag të hapjes së dy kantiereve të tjera sepse e kemi ndarë në katër pjesë ndërtimin e Korridorit 8 dhe kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit europian të infrastrukturës. Ka qenë shumë e vështirë dhe më në fund ia kemi dalë në Samitin e Tiranës mes Ballkanit Perëndimor dhe BE dhe kjo na jep një tjetër energji pozitive, por na jep dhe një tjetër burim të rëndësishëm mbështetjeje nga Bashkimi Europian dhe për këtë arsye kemi pasur para disa ditësh një Samit në Romë me ministrin e Jashtëm të Italisë, ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Bullgarisë”- u shpreh ai.

Rama u ndal edhe tek ndërtimi i Korridorit Blu, ku sqaroi se janë në prag të nisjes së punimet për disa segmente duke filluar nga segmenti Milot-Balldre e për të vijuar me segmentin Kashar- Lekaj dhe Lekaj-Fier.

“Nga ana tjetër mos të harrojmë Korridorin Blu për të cilin ne po punojmë intensivisht. Jemi në prag të nisjes së punimeve për disa segmente duke filluar nga segmenti Milot-Balldren pastaj duke vazhduar me segmentin Kashar – Lekaj, më tutje me Lekaj – Fierin. Ndërkohë që presim Milot – Thumanë. Thumanë – Kashar është në ndërtim dhe është 70% i ndërtuar. Presim që deri në fund të vitit të kemi dhe projektin që lidh Bunën përmes urës së re me Balldrenin dhe kështu do të kemi një korridor të standardeve të Bashkimit Europian që do të lidhë veriun e Shqipërisë me jugun e Shqipërisë dhe do të mbarojë tortura e jashtëzakonshme e gjithë atyre që vijnë nga lart, qoftë nga Kosova qoftë nga veriu i Shqipërisë dhe që duhet të mbërrijnë në Tiranë përmes një shtegu që është bërë praktikisht një shteg torturues për shkak dhe të fluksit shumë të lartë të automjeteve.

Më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut dhe unë i jam shumë falënderues kryeministrit dhe gjithë ekipit të tij që pranuan që ta bëjmë këtë eveniment në anën tonë të kufirit dhe jam i bindur se më herët sesa vonë do rikthehemi për të parë të rindërtuar tërësisht këtë pikë sipas standardeve të Bashkimit Europian falë një projekti të lehtësimit të transportit në Ballkanin Perëndimor që po e realizojmë me financimin e Bankës Botërore”- tha Rama.

Top Channel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments