Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar situatën tensionuar në veri të Kosovës. Ai thekson se sulme të tilla janë të dënueshme dhe të papranueshme.
SipasRamës, rishfaqja e barrikadave në pjesën e veriut jo vetëm që nuk ndikon në zbutjen e klimës, por komplikon çdo gjë që është arritur deri më tani.
Shefi i qeverisë shqiptar shkruan në “Twitter”duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të thërrasë palët në tryezën e dialogut, me qëllimin kryesor t’u japin menjëherë fund tensioneve të tilla.
Postimi i Edi Ramës:
Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë! Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.