Rama dhe Kurti japin porosi: “S’ka më kontrolle në kufirin mes dy vendeve, monitorimi vetëm me kamera(video)

0
303

Ministri Bledi Çuçi tha se me kërkesë të Kryeministrave Kurti dhe Rama do të merren masa të menjehershme që të “lirohen” sa më shumë procedurat në doganën që ndan dy vendet në mënyrë që sidomos gjatë periudhës ku ka fluks turizmi, pra gjatë verës,  të mos ketë me radhë dhe vonesa pa fund.

Ai shpjegoi edhe mekanizmin sesi do të arrihet një gjë e tillë:

“Kemi rënë dakord me Ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim. Kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, për sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës me kamera dhe çdo gjë do të jetë automatike, pa pasur nevojë që të ndalojë fare në kufi. Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë edhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do jetë shumë shpejt se sa fillimi i sezonit.”

Çuçi shtoi se  edhe për raste specifike, sikurse festat e nëntorit aktualisht, do të ketë lehtësira të mëdha në kufi.

Ndërsa për sa i takon flukseve të tjera që do të jenë, sigurisht të mëdha dhe jo të zakonshme, përpara sezonit, duke përfshirë këtu edhe festën kombëtare të datës 28 nëntor, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë sigurisht me një fluks të shtuar, kemi dhënë porosi, në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa kombëtare, 28 nëntori! Kështu që besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme.