“Qiraja nuk do të falet, por do të shtyhet për t’u shlyer pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot se bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të situatës së luftës, familjet, por edhe studentët që jetojnë me qira, nuk do ta paguajnë deri në fund të kësaj situate. Në rast presioni, Rama paralajmëroi se qiradhënësi do të gjobitet sa pesëfishi i vlerës përkatëse! Por reagimet në faqen e kryeministrit kanë qenë të shumta pas këtij vendimi. Disa qytetarë i janë ankuar kryeministrit se çfarë duhet të bëjnë qiradhënësit që varen nga qiratë që marrin, pasi mbeten në rrugë duke qenë se shteti po ndërhyn në pronën e tyre (e parashikuar nga gjendja e fatkeqësisë)? Kryeministri i është përgjigjur duke u kërkuar qiradhënësve, që të ulen dhe të flasin me qiramarrësin për një marrëveshje që të paguajnë me këste të arsyeshme pak e nga pak detyrimin. Pra nuk falet qiraja, por shtyhet që të paguhet pas përfundimit të gjendjes së krijuar nga koronavirusi. “Ulu me qeramarresin e bej nje marreveshje që të të paguajë me këste të arsyeshme, pak e nga pak, detyrimin kur të mbaroje lufta” është përgjigja e Ramës për njërin nga komentuesit që iu ankua. /rtsh.al