BallinaLajmeQeveria shpalli gjendje krize 30-ditore në Gostivar

Qeveria shpalli gjendje krize 30-ditore në Gostivar

Në mbledhjen e 195-të të mbajtur sot, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues solli vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit në periudhë prej 30 ditësh, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh se pushteti lokal nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, Qeveria solli këtë vendim me qëllim të mundësimit të koordinimit më të shpejtë ndërinstitucional, vënies në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm. Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe jemi të përkushtuar për zgjidhjen e plotë të këtij problemi”, thonë nga Qeveria.

Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin.

“Duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit”, thanë nga Qeveria.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Qeveria emëroi Zllatko Perinskin ushtrues detyre të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Komiteti Drejtues përbëhet nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm: ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, si dhe kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Ndryshe, Prokuroria ka propozuar që të shqiptohet masa e paraburgimit 30 ditor ndaj tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Paraprakisht, tre personat e dyshuar në hetimin për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar sot janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, pasi Prokuroria Publike hapi hetim për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të shkaktuara me ndotje të ujit të pijshëm”.

Prokuroria Publike mbrëmë vonë doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments