9.1 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeQeveria Kurti projekton buxhet prej 3.6 miliardë eurosh për 2025-n

Qeveria Kurti projekton buxhet prej 3.6 miliardë eurosh për 2025-n

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Buxhet për vitin 2025, i cili do të jetë 9 për qind më i lartë se ai i këtij viti e të cilin pushteti e ka vlerësuar si “buxhet gjithëpërfshirës”. Kryeministri Albin Kurti tha se, me buxhetin e ri, rëndësi u është kushtuar shëndetësisë, sigurisë dhe mbrojtjes.

Saktësisht 3 miliardë e 608 milionë euro është projekt-buxheti për vitin 2025, të cilin e ka miratuar Qeveria në mbledhjen e së mërkurës e i cili është 9 për qind më i lartë se ai i sivjetmi.

Në prezantimin e Projektligjit për ndarje buxhetore për vitin e ardhshëm, kryeministri Albin Kurti tha se 105 milionë euro janë ndarë për shëndetësi, e prioritet iu është dhënë edhe sigurisë dhe mbrojtjes.

“Tek kategoria e mallrave dhe shërbimeve kemi planifikuar që 105 milionë euro t’i ndajmë për nevojat e shëndetësisë, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në SHSKUK, ashtu që të sigurohen barnat esenciale dhe materialet shpenzuese. Ndërkaq, 87 milionë euro të tjera i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe të mbrojtjes që do të shkojnë në municion dhe pajisje dhe furnizime të nevojshme, ashtu qe policia dhe ushtria jonë t’i kryejë detyrat me efikasiteta”, ka thënë kryeministri Kurti.

Teksa ka prezantuar buxhetin e paraparë për disa prej dikastereve ministrore, Kurti ka treguar edhe shumën e paraparë për projekte të mëdha.

“Për investime kapitale në infrastrukturë kemi ndarë 930 milionë euro të cilat do ta shkojnë në rehabilitimin dhe ndërtimin e hekurudhave dhe ndërtimin e rrugëve rajonale e autostradave: rruga Prizren-Tetovë, hekurudhat me portin e Durrësit, janë vetëm disa projektet. Investime parashihen edhe në investime në ujë dhe resurse ujore”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se buxheti i paraparë për vitin 2025, është gjithëpërfshirës.

“Mund të them se në shumicën e ekonomive në botë, njëra prej shqetësimeve është rritja e çmimeve. Ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin. Tani që kemi uljen e normës së inflacionin, mund të them që ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të rritjes ekonomike, e që për vitin e ardhshëm pritet që të jetë 5.6 në terma realë. Sektorët kryesorë që kanë pasur prioritete në buxhet kanë qenë sektori i mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera. Është një buxhet gjithëpërfshirës”, ka thënë Murati.

Ministri Murati ka bërë të ditur se në ligj të buxhetit është përfshirë edhe rritja e pagave, e prezantuar të martën, dhe i është kundërvënë opozitës duke theksuar se forma e rritjes nuk paraqet shkelje ligjore.

“Sa i përket ligjshmërisë, ne me ligj të buxhetit po e procedojmë rritjen e pagave. Dje s’ka pasur vendim të Qeverisë. Qeveria ka vendosur sot në mbledhjen e miratimit të buxhetit përmes miratimit të buxhetit, ngjashëm sikur vitin e kaluar kur është rritur koeficienti nga 105 në 110 euro. Para se të vinte për miratim në mbledhje të qeverisë ka qenë një vendim paraprak që është dashur ta shkruajë dikush sa duhet të jetë. Ngjashëm është bërë edhe kësaj radhe. Po e procedojmë – përmes ndryshimit ligjor, në këtë rast përmes ligjit për ndarjet buxhetore që miratohet në Kuvend dhe pas miratimit në Kuvend edhe fillon zbatimi”, ka thënë Murati në konferencën për media të mërkurën. “S’ka të bëjë me paligjshmëri apo dilema që janë ngritur. Gjithsesi mund të ketë çdo kush dilema”.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti deklaroi se nga janari do të ketë rritje pagash prej 55 eurosh për të gjithë në sektorin publik e nga 1 korriku edhe nga 55 euro të tjera. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments