6.6 C
Tetovo
E martë, 27 Janar, 2026
BallinaOpinionQani Shabani / Pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një strategji në...

Qani Shabani / Pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një strategji në fazën liminale të diplomacisë ndërkombëtare

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes nuk është thjesht një akt për t’u shfaqur në media apo një veprim për të treguar besnikëri ndaj Donald Trumpit. Ky hap duhet të shihet si strategji pragmatike, që synon të pozicionojë Kosovën në një rrjet ndikimi ku vendimet shpesh formësohen jashtë kanaleve tradicionale diplomatike.-Disa kritikë, përfshirë profesor Daniel Serwer, e kanë përshkruar Bordin si një “dhomë për të dëgjuar Trumpin”. Por kjo qasje redukton realitetin. Në fakt, Kosova hyn aty ku vendimmarrësit amerikanë dhe shtetet e tjera bashkëveprojnë si palë të barabarta, përfshirë edhe disa që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ky është një pranim de-facto i shtetësisë, që mund të shërbejë si bazë për njohje de jure në të ardhmen.

Ky hap nuk është simbolik; ai është pragmatik dhe strategjik. Kosova nuk ka marrë asnjë obligim financiar apo politik që e komprometon sovranitetin. Përkundrazi, prania në këtë forum i jep mundësi për kapital politik gradual, rrjetëzim dhe pozicionim në mekanizma ku historikisht është lënë jashtë.

Kundër-tezat ndaj Serwer-it: Serwer e sheh diplomacinë si proces linear, ku vetëm institucionet formale kanë ndikim. Por realiteti është tjetër: ndikimi shpesh lind nga rrjetet, kontaktet dhe precedentët praktikë. Kosova po ndërton një efekt kumulativ: pranimi de-facto i shteteve mosnjohëse, kontakte direkte dhe pjesëmarrje në vendimmarrje politike. Rreziku real nuk është pjesëmarrja, por mungesa e veprimit, që historikisht ka çuar në izolim dhe humbje ndikimi.

Pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një strategji në fazën liminale të diplomacisë ndërkombëtare, ku ata që janë në tavolinë ndikojnë, ndërsa ata që mungojnë humbasin terrenin. Për Kosovën, dilema nuk është nëse Bordi i Paqes është i përsosur apo nëse Trump është figurë e diskutueshme. Dilema është e thjeshtë: a do të jetë Kosova aktore apo spektatore. Historia tregon se avancimet e vendit kanë ardhur kur Kosova ka qenë aktiv dhe e angazhuar, jo kur ka pritur konsensus të përsosur.

Në përfundim, aderimi në këtë forum nuk është diplomaci naive. Ai është veprim i kalkuluar, i bazuar në pragmatizëm politik dhe presion praktik, që synon të transformojë njohjen de-facto të shteteve mosnjohëse në njohje de jure. Kosova shfrytëzon çdo hapësirë për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar dhe për të krijuar precedent për të ardhmen.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments