Për të katërtën ditë me radhë, punonjës të Ministrisë së Kulturës, Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë së Filmit, protestojnë me kërkesë për rritje të pagave për 30 %.
Sot para ministrisë së Financave kërkuan nga autoritetet e Ministrisë së Financave që siç thanë të dëgjohen kërkesat e tyre sepse nuk kërkojnë asgjë më shumë që u takon. Sipas tyre 70% e të punësuarve në Ministrinë e Kulturës apo 90 % e administratës kanë pagë nën mesataren në vend.
“Duam të theksojmë qartë se Ministria e Kulturës, Agjencia e Filmit dhe Administrata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje kolektive në nivel punëdhënësi. Marrëveshja kolektive që u tha dje nga kryetari i qeverisë i referohet punonjësve në institucionet në fushën e kulturës dhe jo punonjësve në ministri, agjenci dhe administratë, siç e përmenda ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se ç’na takon, 70% e punonjësve në Ministri, pra 90% e administratës kanë rrogën nën mesataren në vend” – tha Branko Kostovski, kryetar i organizatës sindikale të Ministrisë së Kulturës.
Kostovski shtoi se kanë kërkuar nga ministri Besimi që t’i dëgjojë kërkesat e tyre por deri tani nuk kanë pasur një takim të tillë.
“Për 4 ditë, ministri Besimi nuk ndau 10 minuta nga koha e tij, nga agjenda e tij, për të na nderuar me vëmendjen e tij që t’i dëgjoje kërkesat tona. Ne jemi për katër ditë me radhë këtu para ministrisë së financave dhe nuk doli askush të pyesë perse jemi këtu. Ne si ministri nuk kemi marrë vendim për ndërprerje të punës, këtu vijmë nga një orë dhe kthehemi që të vazhdojmë me punën tonë” – tha Branko Kostovski.
Nga sindikata e Ministrisë së Kulturës thanë se janë të gatshëm për dialog por nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe paralajmëruan vazhdim të protestës edhe më radikale edhe gjatë ditëve në vijim.