Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka ndërmarrë hapa konkretë për organizimin e takimit me përfaqësuesit e studentëve dhe dekanët e fakulteteve juridike, lidhur me zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Më 6 tetor, Shasivari ka dërguar ftesë zyrtare për përfaqësuesit e studentëve dhe dekanët e pesë universiteteve, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e zgjidhjes së propozuar ligjore.
Në takim pritet të shqyrtohen aspektet praktike të organizimit të provimit, përfshirë materialet, literaturën juridike, përkthimin dhe kriteret e vlerësimit.
Ministria e Drejtësisë ka pranuar pesë kërkesa nga asociacionet studentore: tri për provimin në shqip, një në anglisht dhe një në anglisht e turqisht.
Ndërkohë, studentët shqiptarë vazhdojnë të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
Takimi synon të afrojë qëndrimet dhe të përcaktojë hapat e mëtejshëm institucionalë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
