Protesta e opozitës, Bomba molotov e kapsolla në drejtim të institucioneve

1107

Protesta e opozitës e thirrur pasditen e së shtunës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është shoqëruar me akte dhune. Që në nisje të protestës rreth orës 18 e 30 minuta, militantët e PD dhe aleatëve të saj hodhën bomba molotov, fishekzjarre kapsolla dhe bojë në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Teksa kreu i PD-së Lulzim Basha po fliste para protestuesve, militantët e PD dhe LSI i kanë vënë zjarrin institucionit të Kryeministrisë duke hedhur bomba molotov dhe hoqën kangjellat rrethuese të perimetrit të sigurisë.
Policia i është drejtuar me thirrje të drejtpërdrejtë, kryetarit të Partisë Demokratike dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi, të bëjnë hap pas nga dhuna. “Z. Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhit: Merrni masa të largoni nga protesta personat e dhunshëm që sulmojnë policinë me bomba molotov, kapsolla e sende të forta: Merrni masa të largoni nga protesta personat e maskuar”, bëri thirrje policia.
Simpatizantët e opozitës kanë hedhur bomba molotov edhe ndaj godinës së kryesisë së Kuvendit, ku flakët janë përhapur me shpejtësi në një pjesë të godinës, por janë shuar nga efektivët e policisë.
Gjatë gjithë protestës para kryeministrisë, u hodhën vazhdimisht shishe të mbushura me lëndë shpërthyese, ky dera kryesore e godinës së qeverisë shpërtheu në flakë.
Nga aktet e dhunës gjatë protestës, 13 efektivë të policisë mbetën të plagosur. Më pas protesta u zhvendos para Parlamentit ku edhe aty nuk munguan aktet e dhunës. Protestuesi hodhën bomba molotov, fishekzjarrë e kapsolla në drejtim të efektivëve të policisë si dhe ndaj godinës së parlamentit. Policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Më akte dhune u shoqërua protesta e opozitës edhe para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.