Prokurorët në pushime, “Reket” në pauzë, Boki 13 dhe Zoki Kiçeec në Shutkë. Ky është një shpjegim i shkurtër i situatës aktuale lidhur me rastin e zhvatjes së parave nga biznesmenët, ku kontrollohet gjithashtu përfshirja eventuale e shefes së Prokurorisë Speciale Katica Janeva. Dilema është se përse Janeva fshiu të dhënat e telefonit për të cilin tha se e kishte humbur dhe nëse është përpjekur të fshehë informacione që do të ishin me interes për prokurorinë e krimit të organizuar. Për dallim nga pushimet verore që i morën prokurorët, politikanët nuk janë të qetë. Opozita gjithashtu bëri thirrje sot për zgjerim të hetimit për rastin “Reket” por edhe hetimin për Organizatën Joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare” të Boki 13.
Arsyeja është e qartë, ekziston frikë se nëse zgjerohet hetimi, atëherë ka shumë gjasa që të dalin në shesh të gjitha lidhjet dhe mbështetjet që i ka pasur i akuzuari i parë Bojan Jovanovski i ashtuquajturi Boki 13 me prokurorët, por edhe zyrtarë politik të LSDM-së. Tashmë ekzistojnë tregues serioz se pikërisht OJQ-ja e Boki 13, “Lidhja ndërkombëtare” ka qenë vegla përmes të cilës janë bërë shantazhe, zhvatje dhe transaksione të dyshimta- deklaroi Naum Stoillkovski- VMRO DPMNE.
Dhe përderisa VMRO- DPMNE-ja këmbëngul për zgjerim të listës me zyrtarë të LSDM-së si përgjegjës për “Zhvatje”, kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev sot mohoi se komuna ka pasur ndonjë lidhje me rastin në fjalë. Ai së bashku me kolegen nga Manastiri, Natasha Petrovska, ishin ndër të parët për të dhënë deklaratë në prokurori.
Komuna e Karposhit
“Komuna e Karposhit dhe kryetari i saj, Stefan Bogoev nuk janë të përfshirë në asnjë aktivitet joligjor në lidhje me rastin “Reket”. Në komunën e Karposhit nuk është hapur asnjë lëndë, dhe nuk është dhënë as miratim për ndërtim, as çfarë do qoftë akt tjetër juridik në lidhje me rastin në fjalë”.
Për zhvatjen e 1.5 milion eurove nga biznesmeni Orce Kamçev, tani për tani të dyshuar janë vetëm Boki 13 dhe Zoki Kiçeec. I kanë marrë para me premtim se kanë fuqi të ndikojnë në Prokurorinë Speciale dhe ta ndalojnë hetimin kundër Kamçevit për pastrim parash. Boki 13 paraqitet edhe si pronar joformal i televizionit 1TV, ku nga mbrëmë filloi përsëri të emetohet programi, që televizioni të mos e humbë lejen për punë.