Ideja për shtetin e pavarur të Maqedonisë, që nga fundi i shek. XIX është inicuar dhe brumosur nga shqiptarët vendës (1887), jo nga qarqet proserbe dhe probullgare në Maqedoni dhe jashtë saj. Kjo ide fisnike, qytetëruese dhe liridashëse u godit dhe devijua më vonë përmes organizatave të fshehta politike dhe ushtarake vendëse, të kontrolluara nga shërbimet sekrete të shteteve fqinje për interesa të Rusisë në rajonin ballkanik. Lëvizja kombëtare, politike dhe ushtarake, si dhe përpjekjet për krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë nuk kanë filluar në vitin 1893, me formimin e Organizatës së Brendshme Revolucionare të Maqedonasë (dhe Odesës), të njohur në histori me disa emra, si MRO, VMRO, VMORO, TMRO apo ndonjë tjetër, as nuk paraqesin fillimin e veprimtarisë dhe brumosjen e idesë për liri dhe pavarësi, as nuk kanë qenë përpjekjet e para për krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë (autonome), me këtë edhe për formimin e identitetit të veçantë të popullit maqedonas, siç e ka konstruktuar këtë rrenë më vonë propaganda serbe, përmes qarqeve politike e shkencore vendëse të ish-regjimit komunist jugosllav, pas vitit 1944/45. Kjo ide është brumosur shumë më herët nga shqiptarët vendës (kryesisht të besimit ortodoks), që i ka fillet e saj së paku nga krijimi i Lidhjes Revolucionare Shqiptare-Maqedonase në vitin 1887, në rrethanat e krijuara pas Marrëveshjes së Shën Stefanit (3 mars 1878) pas aneksimit të Maqedonisë dhe rajoneve të tjera ballkanike nga Bullgaria, dhe më pas revidimin e këtyre vendimeve nga Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878). Nga shumë burime historike, dokumente arkivore, statute, programe, memorandume, apele dhe materiale të tjera, pjesa dërmuese e të cilave janë fshehur apo zhdukur nga dora e zgjatur e propagandës serbe, bullgare, greke dhe ruse, kësaj radhe ju paraqesim një nga Apelet që udhëheqësit shqiptarë të Lidhjes Revolucionare Shqiptare-Maqedonase ua kanë drejtuar banorëve maqedonas, që janë ndodhur atëkohë në Bullgarinë fqinje dhe banorët vendës në Maqedoni, për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta me shqiptarët për lirimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë nga Perandoria Osmane. * * *Thirrja e Lidhjes Revolucionare Shqiptare-Maqedonase (1887)*”Vëllezër (të gjakut dhe besës),Pas shumë përpjekjeve për ta ndihmuar atdheun tonë Shqipërinë, kuptuam se vetëm në një mënyrë fitohet liria. Kjo mënyrë është – bashkimi me të afërmit tanë maqedonas, me aksione të përbashkëta për lirimin e atdheut tonë të lashtë e të vuajtur.Maqedonasit që sot ndodhen nën principatën bullgare dhe ata që jetojnë në Maqedoni, Zoti u ka ndihmuar që u dërgoi një njeri me emrin Panica (Kosta Panica, kryekomit me prejardhje nga Maqedonia, major në ushtrinë bullgare, i cili ka marrë pjesë në luftën serbo-bullgare, i pakënaqur me zgjedhjen e Ferdinandit** për princ të Bullgarisë, e rebeloi ushtrinë kundër tij, për të cilin aktivitet u zbulua dhe u pushkatua në vitin 1890, por që u bë i famshëm dhe hero, ashtu siç njihej dikur heroi ynë i madh Gjergj Kastriot Skënderbeu, një luftëtar kundër pushtuesve osmanë në shekullin XV për pavarësinë e Shqipërisë. Ky njeri iu përkushtua kësaj vepre të shenjtë dhe për shkak të saj, të gjithë udhëheqësit e çetave kryengritëse në Maqedoni u bashkuan rreth tij dhe unanimisht e njohën atë si komandant të tyre. Dhe ne, sapo kuptuam për këtë, u gëzuam dhe krijuam respekt për këtë vëlla, të nderuar si Skënderbeu i dytë dhe nën udhëheqjen e tij e filluam punën tonë të shenjtë. Zoti i ndihmoi atij, zemra e tij është plot me ideale fisnike dhe ne, duke u bashkuar si vëllezër me maqedonasit, vendosëm të angazhohemi në këtë çështje të përbashkët. Nën komandën e majorit Panica ne do të luftojmë për çlirimin e atdheut të maqedonasve dhe të Atdheut tonë, pa marrë parasysh fenë, sepse të gjithë jemi vëllezër të një vendi dhe të lidhur në një ide. Për qëllimin tonë u krijua këtu “Lidhja Revolucionare Shqiptaro-Maqedonase”, u përpilua kushtetuta dhe programi i organizatës. Ne do t’ua dërgojmë kushtetutën (statutin) vetëm kur të marrim një përgjigje të favorshme në lidhje këtë apel (letërthirrje). Nëse e njihni gjeografinë e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, historinë e tyre të kaluar, afërsinë e tyre, zakonet dhe interesat e tyre të përgjithshme politike, dhe nëse na besoni, miratoni veprimet tona dhe sa më shpejt të bashkohuni me ne dhe të na jepni përkrahjen dhe ndihmën tuaj.E konsiderojmë të nevojshme t’ju themi se, krijimi këtu i “Lidhjes Revolucionare Shqiptare-Maqedonase” nën parullën “Liri ose Vdekje” është rruga e vetme për ta ndihmuar punën tonë. Ne kemi biseduar shumë herë për këtë, por nuk e kemi përmbushur deri tani, ndërsa tani së fundmi e kemi përmbushur këtë vepër. Veprën tonë për çlirim do të realizojnë shqiptarët së bashku me maqedonasit, duke punuar së bashku e në mirëkuptim, pa mosmarrëveshje, sipas një kushtetute, nën një flamur dhe do të luftojmë për të fituar vetëqeverisje (autonomi) në të dy rajonet tona.Duke punuar në unitet të plotë vëllazëror, së shpejt do të arrijmë ta frikësojmë pushtetin e Stambollit dhe të fitojmë atë simpati që Evropa të detyrohet t’i njeh të drejtave tona. Kjo është arsyeja pse duhet të besojmë se, sjellja jonë civilizuese do të bëhet e njohur dhe do të na ndihmojë, sa ata të mos mundin të na mbajnë edhe më tej nën robëri, në të cilën kemi qenë për disa shekuj. Duke ju informuar për gjithçka, ju bëjmë thirrje të bashkoheni me ne dhe të qëndroni nën flamurin krenar të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Para së gjithash, ne ju informojmë se nuk kërkojmë shumë: neve nuk na duhet për mbretëri e as principatë. Ne nuk duam që Shqipëria dhe Maqedonia të bien nën sundimin e Bullgarisë, Serbisë ose Greqisë. Ne duam që Shqipërisë dhe Maqedonisë t’u jepet autonomi edhe nëse ato mbeten nën sundimin e Sulltanit. Me një fjalë, ne duam të kemi qeverisjen tonë, gjykatën tonë dhe administratën tonë. Le të sundojnë shqiptarët në Shqipëri, maqedonasit në Maqedoni, qoftë edhe nën forcën supreme të Sulltanit. Në emër të besës shqiptare, ju betohemi në të vërtetën e gjithçkaje të paraqitur në këtë dokument. Kini kujdes që mos ua tregoni këtë dokument njerëzve të pasigurt, por vetëm shqiptarëve të besueshëm. Ne presim nga ju dashuri ndaj atdheut dhe popullin tonë, për punën tonë të shenjtë. Presim përgjigje të shpejtë e të favorshme.Vëllezërit tuaj të gjakut dhe besës.” * I. G. Senkjeviç, Materiale të reja nga Arkivi i MA Hitrovo, Buletini i Institutit të Historisë Nacionale, Shkup, IX, 2 (1965); Luben Llape, Tekste të zgjedhura …, II, f. 284-286.** Ferdinand Saksoburgotski, i caktuar nga Fuqitë evropiane, princ i Bullgarisë (1887-1908) dhe mbret i Bullgarisë (1908-1918).