Përmbaruesit vetëm në vitin 2019 kanë paguar afër 123 milionë euro nga borxhlinjtë. Në periudhën 2006-2019, ato kanë paguar 1 miliardë e 360 milionë euro, tregon raporti i punës së tyre. Njëherësh, analiza tregon se sipas strukturës së borxhlinjve, në vitin 2019 nga biznesi janë paguar 68 milionë euro, nga qytetarët 35 milionë euro dhe nga shteti janë paguar 22 milionë euro. Në vitin 2019, të gjithë përmbaruesit në shtet kanë pasur të ardhura prej 12.5 milionë euro dhe fitim prej 4.7 milionë euro.
Gjithashtu, vitin e kaluar, zyrat e përmbaruesve nuk kanë punuar gati katër muaj si rrjedhojë e ndalimit të procesit të përmbarimit për shkak të pandemisë. Përmbaruesit thonë se qytetarët problemet më të mëdha i kanë me pagesën e komunaleve, lëndët për kreditë e shpejta, pamundësitë e pagesës së kësteve ndaj bankave, harxhimet paushalle lidhur me dënimet penale dhe kundërvajtëse. Lidhur me ankesat për harxhimet e mëdha që i paguajnë qytetarët për borxhet e ndryshme, në Odën e Përmbaruesve arsyetohen se në strukturën e borxhit të fundit, nuk hyjnë vetëm harxhimet e përmbaruesve, por edhe të më shumë institucioneve të tjera.
Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se në shumicën e lëndëve, harxhimet e përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën e shumës, që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve ka të bëjë me kamatat e ndryshme, si dhe me harxhimet e noterëve, avokatëve etj. “Harxhimet e ndryshme të përmbarimit, për fat të keq, në opinion shpesh interpretohen në mënyrë jo të drejtë, për shkak se qytetarët e dinë se sa kanë borxh dhe shpesh ndodh se kur lënda vjen te përmbaruesi, borxhi rritet për dy apo tre herë.
Megjithatë, kjo nuk është rezultat i harxhimeve të larta të përmbarimit, por vjen si rezultat i ekzistimit të kamatave që janë rritur për disa vite për shkak se ato nuk rrjedhin prej datës kur është sjellë vendimi, por prej ditës kur borxhi ka arritur për pagesë. Gjithashtu, lënda përmban edhe harxhimet e ndryshme si ato gjyqësore, të noterit apo edhe avokatëve”, shpjegojnë përmbaruesit strukturën e lartë të harxhimeve që kanë qytetarët për koston e përmbarimit.
Në ndërkohë, nga Organizata Joqeveritare “Njeriu mbi profitin”, vlerësojnë se llogaritë e qytetarëve nuk bllokohen konform ligjit. “Bllokimi i llogarive transaksionale që vitet e fundit po bëhet nga ana e përmbaruesve, është i jashtëligjshëm, raporton KOHA. Sipas Ligjit për qarkullim pagesor, vetëm një institucion shtetëror mund të miratojë vendime për bllokim për qarkullim pagesor – Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP).
Kjo do të thotë se përveç DAP-it, askush tjetër nuk ka autorizim ligjor të bëjë veprime për pagesë me dhunë të borxheve. Ligji për përmbarim saktëson se përmbaruesi ka të drejtë të dorëzojë kërkesë për pagesë me dhunë deri të bartësi për qarkullim pagesor, por jo edhe të merr vendim dhe të kërkoj nga bankat që të bllokojë llogarinë transaksionale të qytetarëve, dhe këtë kërkesë duhet ta bëjë deri te DAP-i e jo te bankat”, thonë nga organizata “Njeriu mbi profitin”.
Vitin e kaluar, qeveria miratoi një pjesë të kërkesave të organizatave joqeveritare siç ishin pagesa jo imponuar nga ana e shfrytëzuesve e ndihmës së garantuar minimale, shtesës fëmijërore apo të ardhurat për siguri sociale të personave të moshuar.
Gjithashtu qytetarët që kanë. të. ardhurat nën mesataren shtetërore, përmbaruesit mund t’ju paguajnë. një të pestën dhe jo një të tretën si më parë. Janë ulur pjesërisht edhe një pjesë e tarifave të përmbaruesve. Nga ana tjetër, në 14 vitet e kaluara apo në periudhën 2006-2019, në zyrat e përmbaruesve janë pranuar 1.445.845 lëndë, është realizuar një e treta e tyre apo 522.321 lëndë dhe janë paguar 1.365.516.174.37 euro./koha.mk/